Avokati i Popullit i ka kërkuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të ruajë menjëherë çdo regjistrim të operacionit policor të 28 nëntorit: pamjet nga kamerat e trupit, nga dronët dhe nga mjetet, si edhe komunikimet në radio, me qëllim garantimin e provave për hetimin e pretendimeve për përdorim të tepruar të forcës. Kërkesa u bë publike pas monitorimit në terren që institucioni zhvilloi gjatë protestës.
Komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi, njofton se katër protestues që grupet e monitorimit kontaktuan në Spitalin Universitar të Traumës deklaruan se u goditën me plumba gome. Njëri prej tyre deklaroi se u godit në sy; grupi konstatoi syrin e majtë të mavijosur dhe të mbyllur. Një tjetër deklaroi se u godit edhe me shkop gome. Një i tretë deklaroi se u qëllua në ballë nga distancë e afërt me fishek gazi dhe grupi konstatoi shenja në këmbë dhe kokën të fashuar pas qepjes së një plage.
Me shkresën e dërguar, Avokati i Popullit kërkon nga Policia sqarime për zinxhirin e komandimit dhe planin operacional që urdhëroi përdorimin e forcës; për llojin e mjeteve të përdorura dhe rregullat sipas të cilave u përdorën (plumbat e gomës, fishekët e gazit, gaz lotsjellës i hedhur nga dronët dhe ujëhedhësit), duke kërkuar të dhëna për orën, vendin, urdhrin dhe paralajmërimin për secilin rast, distancën minimale dhe pjesët e trupit ku lejohet qitja.
Po ashtu kërkohen sqarime për mënyrën e mbrojtjes së gazetarëve dhe trajtimin e të lënduarve: rrethanat e dëmtimit të punonjësve të medias, pretendimin për përdorimin e ujit me presion drejt zonës ku ndodheshin mediat, dhënien e ndihmës së parë dhe hyrjen e ambulancave. Institucioni kërkon gjithashtu të dijë si identifikohen punonjësit e policisë në terren.
Grupet monitoruese ishin në Komisariatet nr. 1, 2, 3, 4 e 6, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin Universitar të Traumës. Avokati i Popullit ndjek me të njëjtën vëmendje lëndimin e punonjësve të policisë, të protestuesve dhe të gazetarëve, duke rikujtuar se ligji lejon përdorimin e forcës vetëm kur është i nevojshëm dhe në masë proporcionale. Ngjarjet e 28 nëntorit janë pjesë e hetimit që institucioni zhvillon prej disa muajsh për menaxhimin e protestave; raporti do të depozitohet në Kuvend në dhjetor 2026. Avokati i Popullit do të bëjë publike përgjigjen e Policisë, ose mungesën e saj.

