Kryetari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka përcjellë një mesazh politik nga Varrezat e Dëshmorëve, në Ditën e Çlirimit, ku ka nderuar të rënët e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe ka bërë thirrje për atë që e cilëson si çlirimin e Shqipërisë nga një “juntë policore dhe sorosiane”.
Gjatë deklaratës së tij, Blushi vlerësoi sakrificën e heronjve dhe dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit, si dhe kontributin e familjeve të veteranëve, të cilët sipas tij përcjellin brez pas brezi vlerat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.
“Pa sakrificat më sublime nuk ka liri”, u shpreh Blushi, duke theksuar se mesazhi i kësaj dite duhet të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj.
Më tej, ai e zhvendosi mesazhin në planin politik, duke akuzuar qeverisjen aktuale se ka uzurpuar vendin dhe duke bërë thirrje për çlirimin e Shqipërisë nga ajo që e quajti “juntë policore dhe sorosiane”.
Blushi theksoi se mbrojtja e lirisë kërkon vendosmëri dhe sakrificë, ndërsa shprehu mirënjohje për të gjithë të rinjtë, heronjtë dhe dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Shqipërisë.






