Vendosni fjalën kyçe....

Kapri viziton protestuesin e dëmtuar në sy nga plumbi i gomës: Rrezikon të humbasë shikimin


Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka vizituar pas mesnate në spital të riun nga Vlora, i cili u dëmtua në sy nga një plumb gome gjatë protestës së 28 Nëntorit.

Në videon e publikuar nga deputeti në rrjetet sociale, i riu tregon nga shtrati i spitalit se mjekët nuk kanë mundur ende t’i japin një përgjigje për gjendjen e syrit, pas ekzaminimeve të kryera.

Ai i ka rrëfyer Kaprit se, në ato pak momente kur ka mundur të hapë qepallën e syrit të dëmtuar, ka parë vetëm dritë të bardhë dhe jo imazhe.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Kapri shprehet se protestuesi rrezikon të humbasë shikimin. Ai e cilëson goditjen një akt kriminal dhe paralajmëron se përgjegjësit do të mbajnë përgjegjësi.

“Saimiri sapo kishte mbyllur telefonin me të ëmën kur, siç më tregoi sot nga shtrati i spitalit, e goditën me plumb gome në sy. Tani rrezikon të humbasë shikimin. Sapo e vizitova në Spitalin Ushtarak, ku i duhet të presë edhe 4 ditë për ndërhyrjen. Përgjegjësit e këtij akti kriminal kanë emra dhe do mbajnë përgjegjësi”, shprehet Kapri.

Sipas materialit të publikuar, ky është rasti i dytë i një protestuesi të dëmtuar në sy gjatë protestave, pas rastit të Erion Vishkullit.

Gjatë protestës së 28 Nëntorit janë publikuar në rrjetet sociale edhe pamje të tjera të protestuesve të goditur në zonën e kokës dhe fytyrës me plumba gome apo zare. Dhjetëra persona janë paraqitur në spital për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa sipas raportimit, disa të tjerë kanë kërkuar trajtim në mënyrë private.