Departamenti Amerikan i Shtetit akuzon Iranin për fshehjen e gjendjes së vërtetë ekonomike

Amerikë | 14 minuta më parë

Departamenti Amerikan i Shtetit ka akuzuar qeverinë e Iranit se po mashtron publikun dhe po fsheh gjendjen e vërtetë të ekonomisë së vendit.

Përmes një reagimi në llogarinë e tij zyrtare në gjuhën perse në platformën X, Departamenti i Shtetit vuri në dukje mospërputhjen mes deklaratave optimiste të zyrtarëve të lartë në Teheran dhe realitetit me të cilin përballen qytetarët.

“Guvernatori i Bankës Qendrore të Iranit pretendon se rezervat valutore të vendit janë të larta, ndërsa ministri i Ekonomisë mburret me rritjen e eksporteve pa ofruar asnjë statistikë apo shifër të vetme,” thuhet në deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit. “Ndërkohë, qytetarët e zakonshëm iranianë po shohin se si çmimet e produkteve bazë si mishi, pula dhe strehimi po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme.”

Uashingtoni theksoi gjithashtu se deklaratat e fundit të kryenegociatorit dhe kryetarit të parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, bien ndesh me pretendimet e vetë Bankës Qendrore, duke ekspozuar kontradikta të brendshme mbi situatën financiare të vendit.

Këto akuza vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione shtesë ndaj Iranit gjatë muajve të fundit, masa të cilat synojnë dobësimin financiar të qeverisë iraniane dhe rritjen e presionit që Teherani të pranojë kërkesat e Uashingtonit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme