29 nëntori e gjeti Mauzoleumin e Dëshmorëve në Durrës ende në rikonstruksion, por ceremonia e rastit nuk mungoi. Familjarë të dëshmorëve të luftës dhe të efektivëve të rënë në krye të detyrës, së bashku me drejtues të Prefekturës, pushtetit vendor dhe deputetë, zhvilluan homazhe simbolike në nderim të atyre që dhanë jetën për atdheun.
Mes familjarëve ishte edhe 80-vjeçarja Dila Lasku, e ardhur nga Maminasi për të kujtuar të birin, Arben Laskun, 26-vjeçarin që dha jetën në krye të detyrës gjatë trazirave të vitit 1997.
“E kanë vra në Laç të Vaut të Dejës. E mori plumbin në kokë, ndërsa shokët e vet u plagosën po shpëtuan. Ka ardhur banda nga Puka dhe ka qëlluar mbi policinë”, u shpreh Dila Lasku, nëna e Dëshmorit.
Mirënjohëse për vëmendjen që Policia e Shtetit i ka kushtuar pas humbjes së të birit, Dila largohet këtë herë me një peng. Për shkak të punimeve në mauzole, nuk mundi të vendoste lule pranë pllakës përkujtimore të Arbenit dhe nuk e di se kur do të mund të kthehet për të birin.
“Nuk e vizitova dot. Erdha këtu dhe 80 vjeçe sot e pata mall me shkuar te çuni im sot”, vijoi Dila Lasku.
Për sa kohë rikonstruksioni nuk ka përfunduar, familjarëve të dëshmorëve u duhet të presin për t’u kthyer pranë vendit ku prehen të dashurit e tyre.
Top Channel
