Protesta kombëtare në Tiranë ka vijuar me marshimin e qytetarëve drejt Kryeministrisë, pas grumbullimit të tyre në Sheshin Skënderbej, ku ishte paralajmëruar nisja e tubimit në orën 12:00.
Me flamuj kuqezi në duar, protestuesit janë nisur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke u drejtuar drejt godinës së qeverisë.
Tubimi i sotëm zhvillohet një ditë pas protestës së 28 Nëntorit, e cila u shoqërua me tensione të forta, përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe ndërhyrje të policisë me gaz lotsjellës dhe autobotë uji.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, mbi 60 persona morën ndihmë mjekësore në spital si pasojë e lëndimeve të shkaktuara gjatë incidenteve të një dite më parë.
Ndërkohë, vëmendja është përqendruar te zhvillimet përpara Kryeministrisë, ku protestuesit po vijojnë tubimin, ndërsa mbetet për t’u parë nëse situata do të shoqërohet sërish me tensione apo protesta do të zhvillohet pa incidente.