Admirali në pension: SHBA-ja i shpërfilli mësimet nga lufta në Ukrainë
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, admirali në pension Mark Montgomery, paralajmëron se Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut po i bashkërendojnë gjithnjë e më shumë burimet e tyre ushtarake, teknologjike dhe ekonomike, me qëllim që ta sfidojnë Perëndimin në shumë fronte.
Montgomery shërbeu për 32 vjet në marinën e Shteteve të Bashkuara, nga e cila u pensionua në vitin 2017 me gradën e kundëradmiralit. Nga janari 2013 deri në tetor 2014, ai drejtoi Grupin e Sulmit të Aeroplanmbajtëses 5 të Flotës së 7-të të SHBA-së, në bordin e aeroplanmbajtëses USS George Washington.
Tani, ai është drejtor i lartë në Qendrën për Inovacion në Teknologji dhe Siguri Kibernetike pranë Fondacionit për Mbrojtjen e Demokracive (FDD). Së fundmi, Montgomery u kthye nga vizitat që i zhvilloi në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
Radio Evropa e Lirë: Si po ndikojnë kufizimet e përdorimit të Starshield-it në operacionet ushtarake të Ukrainës dhe çfarë ndikimi keni vërejtur në fushëbetejë?
Mark Montgomery: Isha atje gjatë kohës kur ndodhën ndërprerjet, por kisha një pasqyrë mjaft të mirë të situatës që nga ndërprerja e parë. Pata biseduar me operatorët që e përjetuan atë dhe pata mësuar për pasojat.
Starshield është jashtëzakonisht i rëndësishëm për përpjekjet e Ukrainës në luftë. Ai u mundëson ukrainasve t'i minimizojnë humbjet në vijën e frontit, por edhe në mesin e popullsisë civile.
Kur Starshield ndërpritet, për çfarëdo arsyeje, ose kur shpejtësia e tij kufizohet në një nivel shumë të ulët, në praktikë ai bëhet i papërdorshëm. Kjo ka ndikim të konsiderueshëm negativ në qëndrueshmërinë ushtarake dhe shoqërore të Ukrainës.
Radio Evropa e Lirë: Rusia po i shton aktet e sabotimit, ndërhyrjet në sinjalet GPS, sulmet kibernetike dhe operacionet e tjera hibride në rajon. A po e shfrytëzon Moska pasigurinë rreth mbështetjes perëndimore për Kievin për të hapur një front më të gjerë kundër NATO-s?
Mark Montgomery: Mendoj se këto janë dy çështje të ndara, por koha kur po ndodhin nuk është rastësi. [Presidenti rus] Vladimir Putin e kupton se SHBA-ja po përpiqet ta ushtrojë trysninë mbi Ukrainën që të pranojë lëshime territoriale, me qëllim arritjen e ndërprerjes së luftimeve.
Është e qartë se këto kufizime të shpejtësisë së Starshield-it po bëhen qëllimisht. Mendoj se ato po zbatohen me kërkesë të Qeverisë amerikane, si një mënyrë për t'i bërë trysni presidentit [Volodymyr] Zelensky.
Në të njëjtën kohë, Putini e sheh këtë dhe e kupton se duhet t'i bëjë trysni Evropës, në mënyrë që as ajo të mos e nxisë apo mbështesë Ukrainën në mbrojtjen e integritetit të saj territorial.
Kjo është ajo që Rusia e quan luftë e gjeneratës së re, pra luftë hibride. Ajo ndërthur sulmet kibernetike, luftën informative, dezinformimin, sulmet ekonomike, sulmet me dronë, madje edhe sulmet fizike, si shpërthimet dhe zjarrvëniet në fabrika, për shembull, në Estoni dhe Poloni.
E gjithë kjo është pjesë e një plani rus për t'u përcjellë vendeve të Evropës Lindore mesazhin se NATO-ja nuk është një mbështetje e besueshme dhe se nuk do të jetë aty për aleatët e saj në Evropën Lindore. Prandaj, sipas këtij mesazhi, lufta në Ukrainë është gabim.
Radio Evropa e Lirë: A po lufton në të vërtetë Kievi kundër Rusisë dhe aleatëve të saj, ndërkohë që Perëndimi po përpiqet të mos mbetet prapa?
Mark Montgomery: Absolutisht. Kievi po lufton kundër katër vendeve.
Unë jam bashkautor, me Brad Bowman dhe Elaine Dezenski, dy studiues të tjerë të FDD-së, i librit me titull “Boshti i agresorëve”. Në këtë libër dokumentojmë se këto katër vende - Rusia, Kina, Koreja e Veriut dhe Irani - kanë marrëdhënie të bazuara në interesa të ndërsjella dhe kanë zhvilluar të paktën 700 raste të ndryshme bashkëpunimi ushtarak, ekonomik ose teknologjik. Më domethënësja prej tyre është mbështetja që secili prej këtyre vendeve i ka dhënë Rusisë në luftën kundër Ukrainës.
Është e ditur se Irani i dha Rusisë mijëra dronë Shahed në fillim të luftës, së bashku me projektet teknike për prodhimin e dronëve të tjerë në fabrikat ruse gjatë gjithë luftës. Kjo teknologji më pas u zhvillua në dronët Geran-2, Geran-4 dhe Geran-5, të cilët Rusia po i përdor me njëfarë suksesi kundër Ukrainës.
Koreja e Veriut dërgoi 12.000 trupa gjatë ofensivës në Kursk. Që atëherë, ajo ka dërguar edhe trupa të tjera për punë inxhinierike dhe detyra të tjera, si dhe ka furnizuar Rusinë me gjashtë milionë predha artilerie dhe mortajash.
Pra, vendi që zotëron rezervën e dytë më të madhe në botë të predhave të artilerisë dhe mortajave, i ka siguruar vendit që zotëron rezervën më të madhe, furnizime të mjaftueshme për dekada të tëra.
Dhe Kina po e mban ekonomikisht në këmbë të gjithë këtë luftë. Ajo ka ndihmuar që ekonomia ruse e kohës së luftës të mbetet funksionale, por, për më tepër, i ka siguruar mikroelektronikën që i mundëson Rusisë të prodhojë raketa lundruese dhe balistike, me të cilat godet qytetet ukrainase gjatë natës.
Pra, pa asnjë dyshim, Ukraina po lufton kundër të ashtuquajturit Bosht i Agresorëve, përkatësisht të katër këtyre vendeve. Rusia mund të jetë ajo që po humb ushtarë në vijën e frontit, por të gjitha vendet e tjera po kontribuojnë.
Aleatët e Iranit dhe zgjerimi i konfliktit në Lindjen e Mesme
Radio Evropa e Lirë: Të kalojmë tani te Lindja e Mesme, a po përballet SHBA-ja e vetme me Iranin, apo po përballet me të njëjtin rrjet kundërshtarësh që e mbështesin Rusinë në Ukrainë?
Mark Montgomery: Në Lindjen e Mesme, mendoj se SHBA-ja, partnerët e saj arabë dhe Izraeli po luftojnë kundër Iranit, Rusisë, Kinës dhe, në një masë më të vogël, Koresë së Veriut.
Ndër vite, Rusia dhe Kina i kanë ofruar Iranit armë dhe mbështetje teknologjike për zhvillimin e armëve. Të tria këto vende i kanë ofruar Iranit nivele të ndryshme të mbështetjes bërthamore, pasi ky i fundit po përpiqet të zhvillojë armë bërthamore. Kjo mbështetje përfshin bashkëpunimin akademik dhe kërkimor, por edhe furnizimin me materiale dhe asistencë teknike.
Së fundmi, gjatë konfliktit, pretendohet – dhe unë mendoj se ka arsye të forta për ta besuar – se Kina dhe Rusia u kanë ofruar iranianëve mbështetje për ta rritur saktësinë e sulmeve me dronë dhe raketa balistike kundër bazave amerikane dhe infrastrukturës së vendeve arabe.
Sido që ta vlerësosh situatën, SHBA-ja po lufton kundër të gjitha këtyre vendeve.
Radio Evropa e Lirë: Sa efektive ka qenë strategjia e Uashingtonit për dobësimin e regjimit iranian?
Mark Montgomery: Brenda regjimit ka qëndrueshmëri. Mendoj se ai ka mbijetuar sepse fushata amerikane nisi me një synim të gabuar strategjik: përpjekjen për ndryshim të regjimit pa pasur një forcë të armatosur kundërshtare në terren.
Nuk mund të arrish ndryshimin e regjimit vetëm përmes fuqisë ajrore. Të duhen aktivistë të armatosur në terren, siç e kemi përjetuar në Kosovë më 1999 ose në Libi më 2011.
Tani mendoj se lufta ka marrë formën e një fushate për ta asfiksuar ekonomikisht Iranin. Dhe këtu duhet t'i jap merita administratës amerikane. Që nga përfundimi i memorandumit për armëpushim, në fund të qershorit ose në fillim të korrikut, ajo ka treguar durim dhe disiplinë, duke mbajtur në fuqi vazhdimisht një bllokadë detare.
Administrata e ka intensifikuar këtë qasje. Departamenti i Thesarit ka vendosur sanksione ndaj sistemit financiar iranian, ndërsa SHBA-ja nuk ka rënë në grackën e Iranit kur ky i fundit ka qëlluar drejt anijeve. Me fjalë të tjera, SHBA-ja nuk ka ndërmarrë menjëherë kundërpërgjigje përshkallëzuese apo edhe thjesht proporcionale. Ajo është siguruar që nafta e vendeve arabe të vazhdojë të transportohet përmes korridorit detar jugor pranë Omanit, në sasi më të mëdha se ato të para 28 shkurtit, ndërsa nuk lejon që nafta iraniane të qarkullojë.
Irani është një shtet me qëndrueshmëri të madhe, por kur nuk mund të shesësh më lëndë djegëse fosile, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të të ardhurave të tua, pasojat do të ndihen. Përfundimisht, do të të duhet ta ndryshosh qasjen.
Kjo do të thotë ose të kërkosh një marrëveshje me SHBA-në sipas kushteve të saj, ose të ndërmarrësh veprime kundër SHBA-së.
Mendoj se shumë shpejt Garda Revolucionare [Islamike e Iranit] do të ndërmarrë ndonjë sulm, me gjasë kundër partnerëve tanë arabë, në përpjekje për ta detyruar SHBA-në ta ndryshojë qasjen e saj ndaj fushatës së asfiksimit ekonomik.
Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh aktivitetet e huthëve në Jemen dhe sulmet ndaj infrastrukturës në Gjirin Persik dhe interesave amerikane në Bahrejn, a po shohim përpjekje të Iranit për të bashkërenduar trysninë në disa fronte njëkohësisht?
Mark Montgomery: Irani po përpiqet ta bëjë këtë dhe ne ndoshta duhet t'i ndihmojmë më shumë sauditët. Sulmet iraniane ndaj Bahrejnit janë përpjekje për ta nxitur SHBA-në që të kundërpërgjigjet. Mendoj se gjatë muajve të fundit kemi kryer sulme, por ato kanë qenë kryesisht të heshtura. Kemi goditur caqe në ishullin Keshm dhe në ishuj të tjerë në Ngushticën [e Hormuzit], si dhe në objektet ajrore të Bandar Abbasit, ku ndodhen radarë dhe pajisje të tjera elektronike për zbulim.
Qëllimi është të zvogëlohet aftësia e Iranit për të goditur cisternat miqësore që kalojnë nëpër korridorin jugor detar, më pranë Omanit. Kemi vepruar me shumë kujdes dhe durim, ndërsa po e asfiksojmë gradualisht ekonominë iraniane.
“I shpërfillëm mësimet e Ukrainës dhe e paguam çmimin”
Radio Evropa e Lirë: Përmendët rreth 700 raste bashkëpunimi ndërmjet Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë së Veriut. A po shkëmbejnë këto vende taktikat e mësuara në Ukrainë dhe a po i zbatojnë tani në Lindjen e Mesme?
Mark Montgomery: Disa prej këtyre taktikave tashmë po i shohim në përdorim. Së pari, nuk ka asnjë dyshim se Kina dhe Koreja e Veriut janë të pranishme në Rusi, veçanërisht Koreja e Veriut, e cila po mëson nga përvoja luftarake atje.
Irani e ka kuptuar qartë efektivitetin e dronëve me rreze më të gjatë veprimi; dronëve që mund të përshkojnë distanca nga 60 deri në 600 kilometra. Dronët Shahed janë përdorur deri diku suksesshëm.
Tani, ironikisht, këta dronë po përdoren me sukses edhe në distanca më të shkurtra. Ata kanë qenë shumë efektivë kundër Bahrejnit, Kuvajtit, Katarit dhe pjesës lindore të Arabisë Saudite, sepse Perëndimi nuk arriti ta nxirrte mësimin e duhur nga përvoja e Ukrainës.
Ukraina ka përdorur dronë përgjues me bazë tokësore për dy vjet e gjysmë dhe ua ka prezantuar ata Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, SHBA-ja nuk e shfrytëzoi këtë përvojë.
Në fakt, Zelensky i ofroi këta dronë edhe SHBA-së në verën e vitit 2025. SHBA-ja u përgjigj se nuk kishte nevojë për ta dhe se nuk i nevojitej asnjë ndihmë nga Ukraina.
Ne mund ta kishim shfrytëzuar atë ndihmë. Si rezultat, nuk ishim të përgatitur për këto lloj sulmesh me rreze të shkurtër veprimi.
Nuk kemi probleme të mëdha me rrëzimin e dronëve që drejtohen kah Jordania, Izraeli apo pjesa perëndimore e Arabisë Saudite, sepse mund t'i pozicionojmë avionët pas tyre dhe t'i rrëzojmë.
Por, kur bëhet fjalë për sulmet me rreze shumë të shkurtër nga Irani drejt Bahrejnit, Katarit, Kuvajtit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe pjesës lindore të Arabisë Saudite, fluturimi zgjat shumë shkurt. Avionët tanë nuk kanë kohë të pozicionohen. Prandaj, na nevojiten këta dronë përgjues me bazë tokësore.
Radio Evropa e Lirë: A po thoni se teknologjia ukrainase kundër dronëve do të mund t'i zvogëlonte ndjeshëm dëmet në objektet amerikane dhe ato të aleatëve, madje potencialisht edhe ta shkurtonte fushatën kundër Iranit?
Mark Montgomery: Absolutisht. Madje do të shkoja aq larg sa të thosha se arsyeja pse e ndalëm fushatën ajrore pas 40 ditësh ishte se nuk arritëm ta neutralizonim mjaftueshëm kërcënimin nga dronët në Gjirin Persik: Bahrejn, Kuvajt, Katar dhe pjesën lindore të Arabisë Saudite.
Këta dronë shkaktuan dëme të konsiderueshme në objektet amerikane dhe në infrastrukturën e partnerëve tanë.
Kjo do të mund të ishte shmangur plotësisht nëse ushtria amerikane do të kishte mësuar nga ushtria e Ukrainës gjatë dy vjetëve e gjysmë të fundit.
Por, ajo zgjodhi të mos e bënte këtë. I shpërfilli mundësitë që iu ofruan. I shpërfilli mësimet e nxjerra nga fushëbeteja ukrainase.
Si rezultat, një fushatë ajrore dhe detare që përndryshe ishte efektive – dua të them, ajo nuk do të arrinte ta ndryshonte regjimin, por po i shkaktonte kosto të konsiderueshme Iranit – u desh të ndalej, sepse nuk mund të siguronim më atë nivel të mbrojtjes ajrore kundër dronëve.
Radio Evropa e Lirë: Duke e parë situatën në tërësi, a po vazhdon Uashingtoni të përgatitet për luftërat e së kaluarës, ndërkohë që kundërshtarët e tij po mësojnë nga njëri-tjetri dhe po bashkërendojnë veprimet në fronte të ndryshme?
Mark Montgomery: Problemi është se kundërshtarët tanë po bashkëpunojnë kudo.
Nuk mund ta shpërfillim problemin bërthamor të Iranit. Nuk mund ta shpërfillim pushtimin rus të Ukrainës dhe sulmet e tij në Evropën Lindore përmes luftës së gjeneratës së re. Nuk mund ta shpërfillim presionin e Kinës ndaj Tajvanit. Të gjitha këto çështje janë të ndërlidhura.
Dronët e lirë bëjnë dallimin gjatë luftimeve në Ukrainë
Po ju jap edhe një shembull të fundit. Për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë Rusisë, Kina dhe Koreja e Veriut kanë marrë në këmbim mbështetje të një cilësie shumë të lartë.
Thuhet se Rusia i ka dhënë Kinës teknologji për reduktimin e zhurmës së nëndetëseve. Kjo është një nga epërsitë tona më të rëndësishme dhe i mundëson Kinës të kërcënojë avantazhin tonë më të madh asimetrik: kapacitetet tona për luftë nënujore.
Kina ka marrë gjithashtu nga Rusia trajnime për sulme ajrore me trupa, në mënyrë që të jetë më e përgatitur për të kryer një zbarkim ajror në kuadër të një pushtimi të Tajvanit përmes ngushticës.
Së fundmi, Koreja e Veriut ka marrë nga Rusia atë që përshkruhet si teknologji hapësinore, por të gjithë e dimë se në të vërtetë bëhet fjalë për teknologji të raketave balistike ndërkontinentale, e cila i mundëson asaj të godasë më shumë objektiva në SHBA dhe me saktësi më të madhe.
Kjo luftë ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës e ka afruar Boshtin e Agresorëve në një shkallë që nuk do të mund ta paramendonim pesë vjet më parë.















