Motra e Briken Tuçit, 34-vjeçarit që mbeti i plagosur gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, ka bërë një deklaratë të fortë lidhur me gjendjen shëndetësore të të vëllait, duke thënë se ai ndodhet në rrezik për jetën.

Në një prononcim për gazetarin Osman Stafa, Ortencia Tuçi tregoi se gjendja e të vëllait është shumë e rëndë. Sipas saj, ai ka pësuar hematoma në kokë, të cilat kanë shkaktuar përhapjen e hemorragjisë, ndërsa mjekët nuk kanë mundësi të ndërhyjnë kirurgjikisht dhe po e mbajnë nën efektin e qetësuesve të fortë, për të ndjekur ecurinë e gjendjes së tij.

Ajo rrëfeu se gjendja është përkeqësuar, pasi hemorragjia, e cila fillimisht ishte e kufizuar në një zonë të kokës, sipas informacioneve që ka marrë nga mjekët, është përhapur më tej.

“Situata është shumë e rëndë. Ka pësuar hematoma në kokë, që ka krijuar një përhapje të hemorragjisë në tru. Nuk mund të lëvizet dhe as të operohet. Po mbahet me qetësues shumë të fortë, që të shohim gjendjen sipas kohës, të presim. Mjekët kanë thënë që nuk mund të ndërhyjnë dot. Dje kishte hemorragji në një pjesë të kufizuar të kokës, ndërsa sot hemorragjia ishte përhapur thuajse në të gjithë kokën. Vëllai reagonte në një mënyrë shumë bazike, që nuk mund të them se ishte vetëdije e plotë. Ka që dje që është në këtë gjendje”, deklaroi Ortencia Tuçi.

Motra e 34-vjeçarit shprehet se i vëllai ishte duke protestuar në mënyrë paqësore, me duart në xhepa dhe me shpinë nga autobotet e ujit, kur u godit nga presioni i ujit. Ajo thotë se familja disponon edhe pamje filmike që, sipas saj, tregojnë momentin e incidentit.

“Vëllai dje doli në protestë dhe ka qenë shumë paqësisht. Kemi edhe video për këtë. Ishte me duar në xhepa, me kurriz nga botet e ujit, ishte vetëm me kapuç për të treguar që unë nuk po bëj gjë. Ka nisur hedhja e ujit dhe, duke qenë me kurriz, ai nuk e ka parë. Në video duket që autoboti ia drejton ujin dhe shihet se si uji e hedh tutje dhe përplaset në tokë”, rrëfeu ajo.

Ortencia Tuçi tregoi gjithashtu se i vëllai është 34 vjeç, i martuar dhe ka përfunduar dy fakultete. Sipas saj, ai kishte dalë në protestë edhe për shkak të vështirësive ekonomike dhe pamundësisë për të siguruar një punë të përshtatshme me formimin e tij akademik. Ajo tha se familja nuk kërkon ndihmë ekonomike apo mëshirë, por kërkon që personat përgjegjës për ngjarjen të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi ligjore.

“Uroj që ministri i Brendshëm, drejtori i Policisë dhe instancat që kanë drejtuar dje autobotin e ujit kundër një personi me duar në xhepa të marrin masa, të dalin dhe të tregojnë emrat, të jenë të denjë dhe të japin dorëheqjen. Ne jemi në një situatë ku na është dëmtuar familjari nga shteti dhe nuk bëjmë dot asgjë. Nuk duam lëmoshë apo fonde e mëshirë, duam që ata persona që e kanë bërë të mbajnë përgjegjësi”, u shpreh ajo.

Në fund, motra e të plagosurit shprehu frikën se i vëllai mund të bëhet viktima e parë e protestave, duke përcjellë një mesazh të fortë për autoritetet.

“Nuk dua që im vëlla të jetë viktima e parë e protestës. Kur shteti na vret, dy duar janë për një kokë”, deklaroi Ortencia Tuçi.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb