Gjendja shëndetësore e Briken Tuçit, 34-vjeçarit që mbeti i plagosur gjatë protestës së 28 Nëntorit në Tiranë, vijon të jetë kritike.
Motra e tij, Ortencia Tuçi, ka dhënë një dëshmi përmes një video denoncimi të publikuar nga Elton Laska, Sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Shqipëria Bëhet, ku ka rrëfyer përkeqësimin e gjendjes së të vëllait, përhapjen e hemorragjisë në tru dhe pamundësinë e mjekëve për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale.
Në video, Ortencia Tuçi tregon se i vëllai ka pësuar hematoma në kokë, të cilat kanë shkaktuar përhapjen e hemorragjisë.
Sipas saj, mjekët nuk kanë mundësi të ndërhyjnë kirurgjikisht dhe po e mbajnë nën efektin e qetësuesve të fortë, për të ndjekur ecurinë e gjendjes së tij.
“Që nga dita e djeshme vëllai është në reaminacion te Spitali Ushtarak pasi është goditur dhe ka hemorragji.
Situata është shumë e rëndë. Ka pësuar hematoma në kokë, që ka krijuar një përhapje të hemorragjisë në tru. Nuk mund të lëvizet dhe as të operohet. Po mbahet me qetësues shumë të fortë, që të shohim gjendjen sipas kohës, të presim.
Mjekët kanë thënë që nuk mund të ndërhyjnë dot. Dje kishte hemorragji në një pjesë të kufizuar të kokës, ndërsa sot hemorragjia ishte përhapur thuajse në të gjithë kokën.
Vëllai reagonte në një mënyrë shumë bazike, që nuk mund të them se ishte vetëdije e plotë. Ka që dje që është në këtë gjendje.
Thirrja kryesore është gjithë ato emrat e boteve të ujit sidomos e boteve të zeza të ujit, të dalin nga vetë organet, nga Ministria e Brëndshme. Ministri Demo të hetojë, të ngrejë gjithë instancat e veta në këmbë dhe ti dorëzojë të gjithë ata policët.- tha ajo ndër të tjera.













