Një skifter me shpatulla të kuqe, i cili dikur ishte cilësuar si “shumë i shëndoshë për të fluturuar”, është rikthyer më në fund në qiell, pasi veterinerët vlerësuan se gjendja e tij ishte përmirësuar dhe se tashmë ishte vetëm “pak mbi peshën normale”.

Qendra për Mbrojtjen e Kafshëve të Egra në Virxhinian Jugperëndimore, ku shpendi me identifikimin RSHA 26-2599 ishte mbajtur nën vëzhgim dhe në një regjim të rreptë ushqimor, konfirmoi se ai është lëshuar sërish në natyrë, transmeton Telegrafi.


Stafi e kishte vendosur skifterin në një dietë prej 20 gramësh mish miu ose miu të madh në ditë, pasi pesha e tij kishte arritur në 910 gramë. Para nisjes së dietës, shpendi kishte ngrënë një numër të madh pulash në lagje, gjë që kishte bërë që të mos ishte më në gjendje të fluturonte.

“ Më në fund e liruam zonjën tonë të shëndoshë. Ajo ishte padyshim gati të largohej nga qendra”, tha Katherine McGrath nga Qendra për Mbrojtjen e Kafshëve të Egra në Virxhinian Jugperëndimore, në një intervistë për emisionin As It Happens të CBC News.

Dhjetëra persona u mblodhën pranë një shkolle të mesme lokale për të parë momentin kur skifteri u ngrit sërish në fluturim. Historia e tij kishte marrë vëmendje ndërkombëtare, ndërsa shumë njerëz kishin ndjekur me interes zhvillimet lidhur me fatin e shpendit.

McGrath tha se banorët e lagjes ishin paralajmëruar për lirimin e skifterit dhe ishin këshilluar të kujdeseshin për pulat e tyre. Megjithatë, shpendit i është vendosur një pajisje identifikimi, në mënyrë që të mund të gjurmohet nëse përballet sërish me probleme.

Skifteri ishte gjetur në fillim të muajit në afërsi të qendrës. Pas dërgimit në institucion, specialistët e ekzaminuan për të zbuluar nëse kishte lëndime apo probleme të tjera shëndetësore që mund t’ia pamundësonin fluturimin.

“Zonjusha RSHA 26-2599 është një skifter i rritur, i cili u gjet në tokë, në një rrugicë rreth 1.6 kilometra larg qendrës sonë. Pas mbërritjes, kontrolluam për problemet më të zakonshme: kocka të thyera, helmim nga plumbi, probleme me sytë, trauma në kokë, kequshqyerje, mavijosje nga ndonjë përplasje apo përleshje. Të gjitha rezultatet ishin brenda kufijve normalë”, thuhej në deklaratën e qendrës.

Pasi përjashtuan shkaqet e tjera të mundshme, specialistët arritën në përfundimin se skifteri, me peshë prej 910 gramësh, ishte “thjesht tepër i shëndoshë për të fluturuar”. Hetimet e mëtejshme zbuluan gjithashtu se ai ishte ushqyer vazhdimisht me pula që lëviznin lirshëm nëpër lagje. /Telegrafi/