Avokati i Popullit i ka kërkuar zyrtarisht Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të ruajë menjëherë të gjitha regjistrimet e ndërhyrjes policore gjatë protestës së 28 Nëntorit, përfshirë pamjet nga kamerat e trupit të efektivëve, dronët dhe automjetet e policisë, si dhe komunikimet në radio.
Kërkesa vjen pas monitorimit në terren të protestës nga grupet e institucionit, të cilat kanë mbledhur dëshmi nga qytetarë të lënduar dhe kanë ndjekur situatën edhe në komisariatet e policisë dhe në Spitalin Universitar të Traumës.
Komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi, bën me dije se katër protestues të kontaktuar në Spitalin e Traumës kanë deklaruar se janë goditur me plumba gome. Sipas tij, njëri prej tyre ka pretenduar se është qëlluar në sy, ndërsa grupi i monitorimit ka konstatuar se e kishte syrin e majtë të mavijosur dhe të mbyllur. Një tjetër protestues ka deklaruar se është goditur edhe me shkop gome. Ndërsa një i tretë ka pretenduar se është qëlluar në ballë, nga një distancë e afërt, me fishek gazi. Grupi i monitorimit ka konstatuar shenja në këmbë dhe kokën e fashuar, pas qepjes së një plage.
Në shkresën drejtuar Policisë së Tiranës, Avokati i Popullit kërkon sqarime për disa çështje që lidhen me menaxhimin e protestës dhe përdorimin e forcës.
Konkretisht, institucioni kërkon të bëhet e ditur se kush ka urdhëruar ndërhyrjen, cili ka qenë plani operacional dhe si ka funksionuar zinxhiri i komandimit.
Gjithashtu, kërkohen të dhëna të detajuara për përdorimin e plumbave të gomës, fishekëve të gazit, gazit lotsjellës të hedhur nga dronët dhe autobotëve të ujit. Për secilin rast kërkohet të përcaktohen ora, vendi, urdhri për përdorim, paralajmërimi i dhënë, distanca e përdorimit dhe pjesët e trupit ku lejohet qitja.
Një tjetër pikë e kërkesës lidhet me mbrojtjen e gazetarëve dhe personave të lënduar gjatë protestës. Avokati i Popullit kërkon sqarime për rrethanat në të cilat u dëmtuan punonjësit e medias, përfshirë pretendimet për përdorimin e ujit me presion në drejtim të zonës ku ndodheshin gazetarët, si dhe për ndihmën e parë dhe aksesin e ambulancave.
Institucioni kërkon gjithashtu informacion mbi mënyrën e identifikimit të efektivëve të policisë gjatë ndërhyrjes në terren.
Avokati i Popullit thekson se më 28 nëntor grupet e monitorimit kanë qenë të pranishme në komisariatet nr. 1, 2, 3, 4 dhe 6, në Bllokun e Sigurisë, si dhe në Spitalin Universitar të Traumës.
Në deklarimin e tij, institucioni nënvizon se po ndjek me të njëjtën vëmendje rastet e lëndimit të efektivëve të policisë, protestuesve dhe gazetarëve, duke kujtuar se ligji e lejon përdorimin e forcës vetëm kur është i nevojshëm dhe në masë proporcionale.
Ngjarjet e 28 Nëntorit janë pjesë e hetimit që Avokati i Popullit po zhvillon prej disa muajsh mbi mënyrën se si Policia e Shtetit menaxhon protestat. Raporti përfundimtar pritet të depozitohet në Kuvend gjatë muajit dhjetor 2026.
Avokati i Popullit ka paralajmëruar se do të bëjë publike përgjigjen e Policisë së Shtetit, ose mungesën e saj.
Shkresa e plotë:
Avokati i Popullit i ka kërkuar Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë të ruajë menjëherë çdo regjistrim të operacionit të 28 nëntorit: pamjet nga kamerat e trupit, nga dronët dhe nga mjetet, si edhe komunikimet në radio.
Kërkesa vjen pas monitorimit në terren që Avokati i Popullit i ka bërë protestës së 28 nëntorit.
Komisioneri i Avokatit të Popullit, Ahmet Prençi shprehet se katër protestues që grupet e monitorimit kontaktuan në Spitalin Universitar të Traumës deklaruan se u goditën me plumba gome.
Njëri prej tyre deklaroi se u godit në sy dhe grupi konstatoi syrin e majtë të mavijosur dhe të mbyllur.
Një tjetër deklaroi se u godit edhe me shkop gome.
Një i tretë deklaroi se u qëllua në ballë nga distancë e afërt me fishek gazi dhe grupi konstatoi shenja në këmbë dhe kokën të fashuar pas qepjes së një plage.
Me shkresën e dërguar, Avokati i Popullit i kërkon Policisë të sqarojë:
📌Kush e urdhëroi përdorimin e forcës: planin operacional dhe zinxhirin e komandimit.
📌Çfarë u përdor dhe sipas cilave rregulla: plumbat e gomës, fishekët e gazit, gazin lotsjellës të hedhur nga dronët dhe ujëhedhësit, me orën, vendin, urdhrin dhe paralajmërimin për secilin, si edhe distancën minimale dhe pjesët e trupit ku lejohet qitja.
📌Si u mbrojtën gazetarët dhe të lënduarit: rrethanat e dëmtimit të punonjësve të medias, përfshirë pretendimin për përdorimin e ujit me presion drejt zonës ku ndodheshin mediat, ndihmën e parë dhe hyrjen e ambulancave.
📌Si identifikohen punonjësit e policisë në terren.
Më 28 nëntor, grupet e monitorimit ishin në Komisariatet e Policisë nr. 1, 2, 3, 4 dhe 6, në Bllokun e Sigurisë dhe në Spitalin Universitar të Traumës.
Avokati i Popullit ndjek me të njëjtën vëmendje lëndimin e punonjësve të policisë, të protestuesve dhe të gazetarëve.
Ligji e lejon forcën vetëm kur është e nevojshme dhe në masë proporcionale.
Ngjarjet e 28 nëntorit janë pjesë e hetimit që institucioni zhvillon prej disa muajsh për menaxhimin e protestave nga Policia e Shtetit. Raporti do të depozitohet në Kuvend në dhjetor 2026.
Avokati i Popullit do të bëjë publike përgjigjen e Policisë, ose mungesën e saj.
