Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka reaguar pas plagosjes së deputetit demokrat Kliti Hoti, i cili u godit me plumb gome gjatë protestës së zhvilluar në Bulevard.
Përmes një reagimi publik, Demo bëri të ditur se i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit të dyshuar për përdorim joproporcional të forcës, si dhe nisjen e një hetimi për të zbardhur rrethanat e incidentit.
Ministri theksoi se respektimi i ligjit është detyrim për të gjithë, përfshirë edhe punonjësit e policisë, të cilët nuk duhet të tejkalojnë kompetencat e tyre.
Ai nënvizoi se dhuna nuk do të tolerohet, pavarësisht nëse ushtrohet nga protestuesit ndaj forcave të rendit dhe institucioneve, apo nga efektivët ndaj qytetarëve.
Demo rikujtoi gjithashtu se e drejta për të protestuar është e garantuar, por respektimi i ligjit mbetet detyrim i përbashkët.
Reagimi i plotë:
“Askush nuk është mbi ligjin, aq më tepër një punonjës i Policisë së Shtetit, që ka për detyrë ta zbatojë dhe ta mbrojë atë.
Pasi jam vënë në dijeni të një rasti të dyshuar të përdorimit joproporcional të forcës nga një punonjës i policisë në mënyrë individuale, i kam kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit pezullimin e menjëhershëm të efektivit në fjalë, si dhe nisjen e procedurave për hetimin e plotë të ngjarjes.
Siç e kam theksuar vazhdimisht, barazia e të gjithëve përpara ligjit është një parim i panegociueshëm.
Dhuna nuk do të tolerohet, as nga protestuesit që sulmojnë forcat e rendit, institucionet, pronën publike apo bizneset private, as nga punonjësit e policisë që tejkalojnë kompetencat e tyre.
E drejta për të protestuar është e garantuar. Detyrimi për të respektuar ligjin është i njëjtë për të gjithë, pa përjashtim.”













