Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi dhe Këlliçi reagojnë pas plagosjes së deputetit Hoti: Kjo është shpallje lufte


Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar pamjet e momentit kur deputeti Kliti Hoti plagoset me plumb gome nga policia, gjatë përplasjes mes protestuesve dhe efektivëve para Kryeministrisë.

“Kjo është shpallje lufte! Do të përgjigjeni! Goditja ndaj një deputeti, në krye të detyrës, me plumb në trup, është një krim që do të marrë përgjigje ligjore dhe personale”, shkruan Bardhi.

Sipas pamjeve të publikuara, Hoti po lëvizte në drejtim të efektivëve kur u qëllua me plumb gome, duke mbetur i lënduar në zonën e shpinës.

Edhe nënkryetari i PD-së, Belind Këlliçi, ka publikuar pamje të incidentit nga një kënd tjetër. Në reagimin e tij, ai akuzon policinë se ka qëlluar qëllimisht deputetin, ndërsa pretendon se Hoti po ndërhynte për t’u interesuar për shoqërimin e protestuesve.

Këlliçi e cilëson ngjarjen si “vrasje me dashje të mbetur në tentativë” dhe akuzon kryeministrin Edi Rama për nxitjen e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë. Ai ka kritikuar gjithashtu Prokurorinë e Tiranës, duke pretenduar se nuk ka ndërmarrë veprime për ngjarjet e mëparshme.