Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka bllokuar mbi 88 ton produkte ushqimore dhe ka vendosur gjoba në vlerën totale prej 400 mijë lekësh, pas kontrolleve të zhvilluara në të gjithë vendin gjatë datave 26 dhe 27 nëntor 2026.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të inspektimeve janë marrë gjithsej gjashtë masa administrative, katër prej të cilave me paralajmërim dhe dy me gjobë.
Subjekti “Redian Dobruna” është ndëshkuar me 100 mijë lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, ndërsa “Pronatyra treg” është gjobitur me 300 mijë lekë për tregtimin e produkteve ushqimore të pasigurta.
Një nga rastet më të rëndësishme është konstatuar në qarkun e Beratit, ku inspektorët e AKU-së, në bashkëpunim me strukturat e Krimit Ekonomik, kanë kontrolluar subjektin “Sybi Ametbeja”, që ushtron aktivitet në përpunimin dhe ambalazhimin e frutave.
Gjatë inspektimit janë bllokuar 11 produkte ushqimore, me një sasi totale prej 63.422 tonësh, të cilat do të mbeten të bllokuara deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Gjithashtu, për shkak të kushteve të papërshtatshme higjieno-sanitare të konstatuara në ambientet e subjektit, është vendosur ndërprerja e aktivitetit deri në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
Ndërkohë, në qarkun e Durrësit, AKU ka bllokuar 25.48 ton misër për ushqim kafshësh, në pronësi të subjektit “Besniku shpk”.
Analizat laboratorike kanë evidentuar përqendrim të aflatoksinës B1 mbi kufirin e lejuar, duke bërë që e gjithë sasia e misrit të bllokohet.
AKU bën me dije se kontrollet synojnë garantimin e sigurisë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorëve dhe verifikimin e zbatimit të standardeve ligjore nga operatorët që ushtrojnë aktivitet në sektorin ushqimor. /skyweb.al

