“Askush mbi ligjin”/ Plagosja e deputetit Hoti me plumb gome, ministri Demo kërkon pezullimin e menjëhershëm të efektivit që qëlloi Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Posaçme të nisë menjëherë hetimet për veprimet e efektivëve të Policisë së Shtetit gjatë protestave të 28 dhe 29 nëntorit.
Përmes një reagimi në Facebook, Shehaj ka denoncuar goditjen e dy deputetëve të opozitës, Erald Kaprit dhe Kliti Hotit, nga efektivët e policisë. Ai deklaroi gjithashtu se një protestues ndodhet në gjendje kome dhe një tjetër rrezikon humbjen e shikimit.
“Dje, gjithashtu, një efektiv i Policisë së Shtetit e sulmoi pabesisht nga pas deputetin e Partisë Mundësia, Erald Kapri, duke i hedhur gaz në fytyrë, teksa ai përpiqej të mbronte disa të rinj që po goditeshin me shkopinj gome”, shkruan Shehaj.
Duke iu referuar plagosjes së deputetit Kliti Hoti gjatë protestës së kësaj të diele, Shehaj tha se ai është qëlluar nga policia me plumb gome pranë shtyllës kurrizore.
“Sot, policia qëlloi me plumb gome një tjetër deputet, Kliti Hotin, pranë shtyllës kurrizore. Ai nuk po sulmonte askënd. Një goditje në atë zonë mund të kishte pasoja të përhershme”, shprehet deputeti i Mundësisë.
Shehaj kërkon që SPAK të sekuestrojë pamjet dhe komunikimet e policisë, si dhe të identifikojë jo vetëm efektivët e përfshirë, por edhe drejtuesit që kanë dhënë urdhrat.
“Kur policia guxon të godasë dy deputetë para kamerave, e mendoni çfarë i bën një qytetari pas dyerve të komisariatit? Koha për të dhënë llogari. Përgjegjësit para drejtësisë”, përfundon Shehaj.
Top Channel