Vendosni fjalën kyçe....

Koshat e mbeturinave në flakë, protestuesit shpërndahen në rrugët e Tiranës


Protesta e qytetarëve kundër qeverisë, e zhvilluar këtë 29 Nëntor, vijon mes tensioneve dhe përplasjeve në kryeqytet. Pas përdorimit masiv të gazit lotsjellës nga policia, protestuesit janë shpërndarë në rrugët e Tiranës, ndërsa koshat e mbeturinave janë përfshirë nga flakët.

Policia ka arritur të vendoset në Sheshin Skënderbej, pas ndërhyrjes me gaz lotsjellës, ndërsa tubimi gjatë ditës është karakterizuar nga lëvizje të shumta dhe situata dinamike.

Gjatë protestës u lëndua rëndë edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, i cili u godit me plumb gome. Në lidhje me incidentin, ministri i Brendshëm Ervin Demo deklaroi se ka kërkuar pezullimin e efektivit të policisë që qëlloi deputetin.

Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e cilësoi sulmin ndaj Kliti Hotit si tentativë vrasjeje, duke pretenduar se ai është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama.