Policia e Shtetit dënon me forcë çdo akt dhune dhe thekson se mbetet e vendosur në përmbushjen e misionit të saj për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, mbrojtjen e qytetarëve dhe respektimin e së drejtës kushtetuese për të protestuar. Institucioni sqaron se asnjë akt dhune nuk mund të justifikohet me ushtrimin e së drejtës për të protestuar, dhe po ashtu asnjë provokim nuk e lejon tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë gjatë ushtrimit të detyrës.
Në lidhje me ngjarjet e 24 orëve të fundit, Policia njofton se pas incidentit ku një deputet është goditur nga një punonjës i Policisë, Drejtori i Përgjithshëm ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit, inspektor E.A. Kundrejt tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur një hetim disiplinor, i bazuar në pamjet filmike dhe në fakte lidhur me veprimet individuale të tij. Policia thekson se punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, dhe hetimi disiplinor do të sqarojë rrethanat dhe përgjegjësitë.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur menjëherë veprimet hetimore mbi të njëjtin rast. Këto procedura synojnë të sqarojnë në mënyrë ligjore dhe institucionale çdo aspekt të incidentit, duke respektuar nevojën për objektivitet dhe transparencë.
Policia bën thirrje që qytetarët të distancohen nga persona të maskuar dhe të dhunshëm dhe t’i ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar në mënyrë paqësore. Institucioni deklaron se do të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, pavarësisht nga autorët e tyre. Theksohet gjithashtu se çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave duhet të trajtohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale, në përputhje të plotë me ligjin.

