Në foto, Inspektori E.A në momentin e goditjes me armë mbi deputetin e PD
Policia e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra efektivin që qëlloi me plumb gome deputetin e PD-së, Kliti Hoti, gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Agron Çeli, i cili deklaroi se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e inspektorit me inicialet E.A., pas incidentit të regjistruar gjatë përplasjes me protestuesit.
Sipas Çelit, punonjësi i Policisë nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet që lidhen me veprimet individuale të efektivit.
Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur veprimet hetimore për të njëjtin rast.
Gjatë deklaratës për mediat, Çeli theksoi se Policia e Shtetit dënon çdo akt dhune dhe se e drejta për të protestuar nuk mund të përdoret për të justifikuar dhunën. Nga ana tjetër, ai nënvizoi se as aktet e dhunës apo provokimet nuk mund të justifikojnë tejkalimin e kompetencave ligjore nga punonjësit e Policisë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të distancohen nga personat e maskuar dhe të dhunshëm, ndërsa ka deklaruar se do të zbatojë parimin e tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit.
Në përfundim, Çeli tha se çdo akt dhune dhe çdo rast i dyshuar i tejkalimit të kompetencave nga efektivët duhet të hetohet me objektivitet, transparencë dhe përgjegjshmëri institucionale.





