Rajoni

Pas ndalimit nga Prokuroria, Komuna e Prishtinës vendos mozaikun e Nënë Terezës në një objekt tjetër

Pavarësisht se Prokuroria ndaloi punimet për vendosjen e një vepre artistike në fasadën e ndërtesës së Ministrisë së Ekonomisë, Komuna e Prishtinës e ka vendosur që të njëjtën në një objekt tjetër në sheshin Zahir Pajaziti.

Ky zhvillim vjen pas përplasjeve mes zyrtarëve komunalë, në krye me kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, dhe Policisë së Kosovës, qysh në mëngjesin e 28 nëntorit. Komuna insistoi fillimisht që vepra të vendosej në Ministrinë e Ekonomisë, duke argumentuar se kishte të gjitha autorizimet, por Ministria e Ekonomisë argumentoi të kundërtën.

Komandanti i Policisë, Fatmir Balaj, disa orë më pas e njoftoi Ramën se kanë pranuar zyrtarisht vendimin e Prokurorisë për ndalimin e punimeve për vendosjen e kësaj vepre në Ministrinë e Ekonomisë, deri në vendimin e gjykatës.

Retkoceri, ndërkaq, më herët i tha Radios Evropa e Lirë se qëllimi i pengesës është që bllokohen projektet komunale, duke akuzuar autoritetet qendrore se po japin urdhra politikë.

Policia paralajmëroi Ramën – i cili urdhëroi punëtorët që të vazhdonin me vendosjen e veprës në fasadën e ministrisë – se do të arrestohej kushdo që do të vazhdonte punimet.

Por, si erdhi situata deri këtu?

E gjitha nisi më 20 nëntor, kur Komuna nisi punimet për vendosjen e muralit kushtuar Nënës Terezë. Komuna e Prishtinës pretendon se ka bazë ligjore për të vendosur veprën artistike, e cila fillimisht u tha se ishte mural, e më pas mozaik, duke argumentuar se ndërtesa e Ministrisë së Ekonomisë është pronë publike.

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, gjatë një konference të përbashkët për media me Ramën të mbajtur mëngjesin e së shtunës pranë Ministrisë së Ekonomisë, tha se i kanë pesë vendime që lejojnë punimet.

“Të jemi të qartë, Komuna e Prishtinës administron dhe jep pëlqime dhe lejet për të gjitha fasadat e objekteve në kryeqytet në bazë të rregullores dhe legjislacionit në fuqi”, tha ai.

Ai një ditë më parë ka publikuar pesë dokumente që tha se mbështesin ligjshmërinë e projektit. Ndër to, ai edhe gjatë konferencës të së shtunës, përmendi edhe pëlqimin, që tha se Komuna ka marr nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Në të, në pjesën e lëndës shkruan “konfirmim i ligjshmërisë së atit të Komunës së Prishtinës”. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e cilësoi pengesën për vendosjen e veprës kushtuar Nënë Terezës si “të papranueshme dhe patolerueshme”.

Ai u ankua se Qeveria e Kosovës “tash e sa vite po bllokon rregullisht projektet e kryeqytetit”, duke përmendur një sërë prej tyre, përfshirë edhe punimet për bulevardin Xhorxh Bush. Komuna tha se ka ndarë mjetet për këtë projekt, në vlerë prej 14.875 eurosh.

Çfarë tha Ministria?

Por, Ministria e Ekonomisë ka paraqitur të tjera argumente për këtë projekt. Mbrëmjen e 27 nëntorit, kjo ministri përmes një reagimi tha se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, “pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse”.

“Ndërhyrjet e datës 20 nëntor janë kryer kundërligjshëm, arbitrarisht. Po ashtu, pa masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale”, tha Ministria.

Komuna e Prishtinës, sipas Ministrisë së Ekonomisë, ka subvencionuar një projekt dhe Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës më datë 28.09.2026 ka lëshuar pëlqim për realizimin e këtij projekti në objektin, “i cili nuk është në pronësi dhe nuk menaxhohet nga Komuna. Pëlqimi është i kundërligjshëm dhe i pa nënshkruar nga drejtori i kësaj drejtorie”.

“Këto veprime Komuna e Prishtinës i ka bërë pa konsultuar dhe pa njoftuar paraprakisht Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë për Dixhitalizim dhe Administratë Publike, ndonëse Komuna e Prishtinës as nuk është pronare e as nuk ka të drejtën e menaxhimit me objektin e Ministrisë se Ekonomisë”, u tha në reagim.

Sipas saj, Prokuroria ka pezulluar punimet dhe përkundër kësaj, siç pretendoi Ministria, Komuna e Prishtinës tentoi të vazhdonte punimet mëngjesin e 27 nëntorit, por u ndalua nga Policia e Kosovës.

Ministria e Ekonomisë tha se nuk e kundërshton vendosjen e veprës artistike kushtuar Nënës Terezë, por kërkon që të respektohet ligjit.

“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, tha Ministria.

Komuna e Prishtinës, e udhëhequr nga Rama, përveç se e ka akuzuar shpesh nivelin qendror për “bllokim” projektesh, ajo më herët ka pasur edhe një përplasje lidhur me buxhetin komunal. /

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.