Aktualitet

Bllokuan rrugët dhe goditën policinë me mjete të forta e molotovë gjatë protestës, arrestohen 12 persona dhe dhe procedohen 19 të tjerë

12 persona janë arrestuar dhe 19 të tjerë janë proceduar penalisht pas akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë në Tiranë.

Sipas Policisë, protestuesit kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba molotov efektivët e Policisë, kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë dëmtuar pronën publike.

Bëhet e ditur se gjatë tubimit janë lënduar 17 punonjës policie. Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarje.

 Njoftimi i plotë i policisë:

Tiranë

Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta, lëndë piroteknike, bomba molotov, punonjësit e Policisë, bllokuan qarkullimin dhe dëmtuan pronën publike, arrestohen 12 shtetas dhe procedohen penalisht 19 të tjerë.

Gjatë tubimit të djeshëm u dëmtuan 17 punonjës Policie.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin ligjor të akteve të dhunës gjatë tubimit të zhvilluar ditën e djeshme, u arrestuan shtetasit:

-E. K., 32 vjeç, H. Xh., 18 vjeç, S. A., 53 vjeç, M. D., 47 vjeçe, B. H., 25 vjeç, E. D., 27 vjeç, L. V., 55 vjeç, E. C., 32 vjeç, K. J., 31 vjeç, Y. M., 38 vjeçe, Sh. Ç., 29 vjeç dhe D. Ç., 23 vjeç.

Gjithashtu, u proceduan penalisht 19 shtetas.

Specialistët për Hetimin e Krimit, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet për dokumentimin e plotë të veprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit, identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishja e qetësisë publike”, “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së rendit publik”, “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”.

JavaScript is required for tabnav widget to work properly.