E diel, 29 Nëntor 2026 Safir deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Diagnozë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 35 minuta më parë
Bota

Historia tronditëse e tre motrave që vranë babanë pas viteve të abuzimit seksual dhe dhunës, Prokuroria kërkon pafajësinë

Tetë vite pas vrasjes së babait të tyre, tri motrat në Rusi, Kristina, Angelina dhe Maria Khachaturian, janë një hap më pranë lirimit përfundimtar nga akuzat për vrasje me paramendim.

Prokuroria e Përgjithshme ruse ka kërkuar ndërprerjen e procedimit penal ndaj tyre, duke vlerësuar se motrat vepruan në kushtet e vetëmbrojtjes pas viteve të abuzimit seksual, dhunës fizike dhe kërcënimeve nga babai i tyre.

Ngjarja ndodhi më 27 korrik 2018 në Moskë, kur 57-vjeçari Mikhail Khachaturian u gjet i vrarë me plagë të shumta në shkallët e pallatit ku jetonte me vajzat e tij. Në atë kohë, Kristina ishte 19 vjeçe, Angelina 18 dhe Maria 17 vjeçe. Sipas dëshmive të tyre, para ngjarjes babai i kishte fyer, kërcënuar dhe sulmuar me sprej piperi, duke bërë që motrat të përballeshin sërish me një episod dhune.

Hetimet zbuluan një histori shumëvjeçare abuzimi në familje. Angelina deklaroi se ishte abuzuar seksualisht për herë të parë nga babai në nëntor të vitit 2014 dhe se dhuna kishte vazhduar sistematikisht. Motrat treguan gjithashtu se detyroheshin të plotësonin çdo kërkesë të tij dhe se kundërshtimi ndëshkohej me rrahje dhe kërcënime me vdekje.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ndodhi në vitin 2025, kur Mikhail Khachaturian u shpall fajtor pas vdekjes për abuzim seksual ndaj vajzave, shkaktim të qëllimshëm të dëmtimeve të rënda trupore dhe shpërndarje të materialeve të abuzimit seksual me të mitur. Ekspertizat konfirmuan se të tria motrat vuanin nga sindroma e abuzimit dhe çrregullimi i stresit post-traumatik, si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve të babait.

Reklamë

Rasti shkaktoi reagim të madh në shoqërinë ruse, ku mbi 350 mijë persona nënshkruan një peticion në mbështetje të motrave. Qindra qytetarë morën pjesë në protesta, ndërsa u organizuan aktivitete për të mbuluar shpenzimet ligjore dhe për të kërkuar masa më të forta kundër dhunës në familje.

Megjithëse autoritetet hetimore këmbëngulën për vite me radhë në akuzën e vrasjes me paramendim, Prokuroria e Përgjithshme tashmë kërkon njohjen e vetëmbrojtjes dhe ndërprerjen përfundimtare të çështjes penale. Sipas prokurorisë, e drejta për vetëmbrojtje mund të zbatohet edhe në rastet kur ekziston një kërcënim i vazhdueshëm, dhe jo vetëm gjatë një sulmi të çastit.

Vendimi përfundimtar mbetet në dorën e gjykatës. Ndërkohë, motrat vazhdojnë të jenë nën masa kufizuese që nuk i lejojnë as të komunikojnë me njëra-tjetrën, tetë vite pas ngjarjes që ndryshoi jetën e tyre.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.