Punonjësit e Amazon në disa vende të botës kanë nisur protesta dhe greva në ditën e Black Friday, duke kërkuar rritje pagash, përmirësim të kushteve të punës dhe marrëveshje kolektive me kompaninë.
Aksioni përfshin disa shtete, mes tyre Francën, Poloninë, Britaninë, SHBA-në, Japoninë, Brazilin dhe Afrikën e Jugut. Protestat organizohen për të shtatin vit radhazi, në një nga periudhat më të ngarkuara për kompaninë.
Rreth 50 organizata, përfshirë sindikata dhe grupe aktiviste, janë bashkuar në fushatën “Make Amazon Pay”, me protesta të planifikuara nga Black Friday deri në Cyber Monday.
Në Gjermani, sindikata ver.di bëri thirrje për ndërprerjen e punës në 11 struktura të Amazon, ndërsa në Indi u organizuan protesta në të paktën 23 vendndodhje.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu përmirësimin e sigurisë në vendin e punës dhe paga më të larta. Amazon, nga ana tjetër, ka kundërshtuar kritikat, duke deklaruar se u ofron punonjësve paga konkurruese, përfitime dhe kushte moderne e të sigurta pune.

