Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) ka nisur hetimet për plagosjen e deputetit demokrat Kliti Hoti, i cili u godit me plumb gome mesditën e sotme pranë Hotel Dajtit në Tiranë.

Në një njoftim zyrtar, AMP bën me dije se ka nisur veprimet procedurale në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit.

Sipas të dhënave paraprake, deputeti 56-vjeçar dyshohet se është qëlluar me plumb gome në shpinë gjatë përplasjes mes protestuesve dhe forcave të policisë.

Hetimi do të përqendrohet në mënyrën se si ndodhi ngjarja, si dhe në verifikimin nëse punonjësit e Policisë së Shtetit kanë kryer shkelje gjatë ndërhyrjes.

AMP thekson se do të ushtrojë të gjitha kompetencat ligjore për të garantuar respektimin e ligjit dhe përgjegjshmërinë institucionale.

NJOFTIM PËR SHTYP

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka nisur kryerjen e veprimeve procedurale për sqarimin e rrethanave të ngjarjes së ndodhur sot, më datë 29.11.2026, pranë Hotel Dajtit.

Në këtë ngjarje, shtetasi Kliti Hoti, 56 vjeç, deputet i Partisë Demokratike, dyshohet se është goditur me plumb gome në shpinë.

AMP mbetet e angazhuar në ushtrimin e kompetencave të saj ligjore për verifikimin dhe hetimin e çdo rasti që lidhet me veprimtarinë e punonjësve të Policisë së Shtetit, me qëllim garantimin e ligjshmërisë dhe përgjegjshmërisë institucionale.