Mijëra banorë pa energji elektrike, era e fortë zhyt në errësirë fshatrat e Lezhës
Mijëra banorë në disa zona të Lezhës kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e motit të keq dhe erës së fortë që ka përfshirë rajonin gjatë ditës së sotme.
Problemet në furnizimin me energji elektrike janë shkaktuar nga dëmtimet në rrjet, duke lënë pa drita prej disa orësh disa fshatra në njësitë administrative Kolsh dhe Zejmen, si dhe në zonën e Zadrimës.
Ndërkohë, ndërprerje të energjisë elektrike raportohen edhe në lagjen Gurra të qytetit të Lezhës.
Kjo situatë nuk është e panjohur për banorët e zonës. Sa herë që ka reshje shiu apo përkeqësim të kushteve atmosferike, furnizimi me energji elektrike kthehet në problem, veçanërisht në zonat rurale dhe periferike.
Amortizimi i rrjetit elektrik vijon të jetë një shqetësim për banorët, të cilët përballen me ndërprerje të përsëritura të energjisë.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të temperaturave të ulëta, pasi mungesa e energjisë vështirëson ngrohjen e banesave dhe përditshmërinë e familjeve të prekura.




