Standardi i ri “Euro 7” hyn në fuqi, duke zgjeruar për herë të parë kontrollin e ndotjes edhe te grimcat që çlirohen nga konsumimi i gomave dhe frenave si dhe te jetëgjatësia e baterive të makinave elektrike.
Bashkimi Evropian ka nisur zbatimin e standardit të ri të emetimeve “Euro 7”, i cili sjell kërkesa të reja për automjetet e reja, duke përfshirë jo vetëm shkarkimin e gazrave, por edhe ndotjen që shkaktohet nga konsumimi i frenave dhe gomave.
Rregullat e reja, që nisin të zbatohen që më 29 nëntor të 2026-ës, për modelet e reja të automjeteve, synojnë të reduktojnë ndotjen nga grimcat e imëta dhe të garantojnë qëndrueshmëri më të madhe të baterive në automjetet elektrike dhe ato hibride plug-in.
Frenat dhe gomat, nën kontroll më të rreptë
Një nga ndryshimet kryesore të standardit “Euro 7”, është vendosja e kufijve për grimcat që çlirohet nga konsumimi i frenave gjatë përdorimit të automjetit.
Sipas rregullave të reja, automjetet me sisteme konvecionale frenimi, do të duhet të kufizojnë emetimin e grimcave të imëta në 7 miligramë për kilometër, ndërsa për automjetet plotësisht elektrike, kufiri fillestar është 3 miligramë për kilometër.
Vëmendje e veçantë i kushtohet edhe konsumimit të gomave, të cilat gjatë lëvizjes çlirojnë grimca të vogla plastike dhe materiale të tjera që përfundojnë në mjedis.
Komisioni Evropian e konsideron konsumimin e gomave, një burim të rëndësishëm të mikro-plastikës, ndaj standardi i ri i parashikon teste dhe kërkesa specifike për të nxitur prodhimin e gomave më të qëndrueshme.










