E diel, 29 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Ambasadori rus në Tiranë: Ta dijë brezi i ri që ne kemi luftuar bashkë
Lajme

Ambasadori rus në Tiranë: Ta dijë brezi i ri që ne kemi luftuar bashkë

🇬🇧 Read in English

Ambasadori i Rusisë në Shqipëri, A.A. Zaytsev, ka përcjellë një mesazh për veteranët shqiptarë me rastin e 82-vjetorit të Çlirimit, duke rikujtuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përmes deklaratës së publikuar nga Ambasada Ruse, diplomati thekson se të dy vendet ndodheshin në të njëjtën anë të luftës kundër nazifashizmit dhe kërkon që kjo pjesë e historisë të mos harrohet nga brezat e rinj.

Zaytsev kujton se në fund të nëntorit 1944 Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë, ndërsa përmend edhe 28 mijë shqiptarët që, sipas mesazhit, dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Në deklaratë, ambasadori vë në dukje edhe rolin e Ushtrisë së Kuqe në luftën kundër nazizmit, si dhe dërgimin në Shqipëri, në gusht të vitit 1944, të një misioni të parë ushtarak sovjetik, të drejtuar nga majori K.P. Ivanov. Sipas tij, ky mision ndihmoi në vendosjen e komunikimit mes komandës shqiptare dhe Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe.

Për të përforcuar mesazhin e tij, diplomati sjell edhe një deklaratë të Mbledhjes së Dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar Antifashist të Shqipërisë, të mbajtur në tetor 1944, ku vlerësohej kontributi sovjetik në mposhtjen e fashizmit.

Por ambasadori nuk është ndalur vetëm te kujtesa historike. Ai e ka lidhur mesazhin me zhvillimet e sotme ndërkombëtare, duke shprehur shqetësimin e Moskës për atë që e cilëson si përhapje të praktikave naziste, glorifikim të nazizmit dhe përpjekje për falsifikimin e historisë.

Zaytsev përmend gjithashtu rezolutën e paraqitur çdo vit nga Rusia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së kundër glorifikimit të nazizmit, neonazizmit dhe formave të tjera të diskriminimit. Sipas shifrave të dhëna në deklaratën e ambasadës, në vitin 2026 rezoluta mori mbështetjen e 117 shteteve.

Mesazhi i diplomatit vjen në një moment delikat për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Rusisë. Që prej vitit 2022, Shqipëria është përfshirë në listën ruse të vendeve të konsideruara “jomiqësore”, ndërsa raportet diplomatike mes dy shteteve mbeten të tensionuara.

Në përfundim, ambasadori u bën thirrje shqiptarëve që të ruajnë kujtesën e Luftës së Dytë Botërore dhe sakrificën e atyre që luftuan kundër nazizmit dhe fashizmit.

“Vendet tona e dinë nga përvoja e tyre se çfarë janë nazizmi dhe fashizmi. Detyra jonë ndaj botës dhe brezave të sotëm e të ardhshëm është të mos lejojmë kurrë të bjerë në harresë heroizmi i madh i gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë”, thuhet në mesazhin e ambasadorit rus.

Njoftimi i Ambasadës ruse

Urime te ambasadorit të Rusisë A.A. Zaytsev drejtuar veteranëve shqiptarë me rastin e Ditës së Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë

Në fund të nëntorit të vitit 1944, populli shqiptar çliroi vendin e tij nga pushtuesit. 28 mijë bij dhe bija të Shqipërisë dhanë jetën në luftën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Sukseset e Ushtrisë së Kuqe në frontin sovjeto-gjerman luajtën gjithashtu një rol të rëndësishëm në dëbimin e pushtuesve nga Shqipëria.

Me qëllim që të ndihmonte Ushtrinë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë (UNÇ) për të dëbuar sa më shpejt pushtuesit gjermanë nga territori i vendit, në gusht të vitit 1944 u dërgua në Shqipëri misioni i parë ushtarak sovjetik, i kryesuar nga majori K.P. Ivanov, i cili siguroi lidhjen e komandës shqiptare me Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë së Kuqe.

Udhëheqja e partizanëve shqiptarë e vlerësonte lart kontributin e Ushtrisë së Kuqe në shpartallimin e fashizmit:

«Ne e konsiderojmë Ushtrinë e Kuqe si forcën kryesore që shpartalloi armikun e betuar të njerëzimit. Për ne, ajo është simbol i luftës antifashiste për liri dhe garancia më e madhe e të drejtave tona. Për këtë i jemi mirënjohës Bashkimit Sovjetik dhe populli ynë nuk do ta harrojë kurrë ndihmën e madhe dhe luftën heroike të Ushtrisë së Kuqe, e cila na shpëtoi nga katastrofa».

(Nga deklarata e Mbledhjes së Dytë të Këshillit Nacionalçlirimtar Antifashist të Shqipërisë, tetor 1944).

Për ne është krejtësisht e qartë se BRSS-ja dhe Shqipëria, gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishin në të njëjtën anë të barrikadave – luftuan së bashku kundër fashizmit. Këtë nuk do ta harrojmë kurrë. Këtë duhet ta njohin mirë edhe brezat e rinj të rusëve dhe shqiptarëve.

Është për të ardhur keq që sot në botë po përhapen sërish praktikat naziste.

Që nga viti 2005, Rusia po i kundërvihet aktivisht këtij fenomeni, përfshirë edhe në forumet ndërkombëtare. Çdo vit, vendi ynë merr nismën për miratimin nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të rezolutës «Lufta kundër glorifikimit të nazizmit, neonazizmit dhe praktikave të tjera që kontribuojnë në përshkallëzimin e formave bashkëkohore të racizmit, diskriminimit racor, ksenofobisë dhe intolerancës përkatëse». Në vitin 2026, 117 shtete votuan pro kësaj rezolute, duke rikonfirmuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për luftën kundër nazizmit dhe duke theksuar papranueshmërinë e përdhosjes së saj.

Fatkeqësisht, jo të gjitha vendet janë të shqetësuara për rritjen e ndjeshme të përpjekjeve për falsifikimin e historisë, si dhe për ringjalljen e retorikës ksenofobe dhe raciste.

Të nderuar qytetarë të Shqipërisë, të dashur veteranë shqiptarë! Vendet tona e dinë nga përvoja e tyre se çfarë janë nazizmi dhe fashizmi. Detyra jonë ndaj botës dhe brezave të sotëm e të ardhshëm është të mos lejojmë kurrë të bjerë në harresë heroizmi i madh i gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë, të cilët i dhanë fund «murtajës së zezë», ndaluan praktikat naziste të shfarosjes dhe persekutimit të popujve të tërë, shpëtuan miliona jetë dhe u dhuruan brezave të rinj paqe dhe shpresë.

Kujtimi i atyre që triumfuan mbi nazizmin dhe fashizmin në Luftën e Dytë Botërore do të jetojë përgjithmonë!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.