Vijojnë tensionet në Tiranë, protestuesit nuk dorëzohen pas 8 orësh, policia i ndjek deri në lokalet ku strehohen për t’i shoqëruar
Tensionet vijojnë në Tiranë pas protestës së zhvilluar në ditën e Çlirimit, ndërsa me kalimin e orëve numri i protestuesve është reduktuar ndjeshëm.
Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” rreth orës 10:00 dhe, pas gati tre orësh qëndrimi, marshuan drejt Kryeministrisë. Incidentet nisën pasi një grup protestuesish shkroi një mbishkrim fyes ndaj kryeministrit Edi Rama në murin e godinës së Kryeministrisë.
Pas përplasjeve, situata vijoi të mbetej e tensionuar, por numri i qytetarëve në protestë ra ndjeshëm. Protestuesit e mbetur janë të paktë në numër dhe nuk po arrijnë të organizohen në një tubim të përbashkët.
Ndërkohë, efektivët e policisë vijojnë ndjekjen e protestuesve, duke i shoqëruar edhe deri në ambientet e bizneseve private, ku disa prej tyre janë futur për t’u strehuar.
Lokalet përreth janë kthyer në vende ku qytetarët kërkojnë të shmangin ndërhyrjen e policisë, ndërsa situata në zonën pranë Kryeministrisë dhe sheshit “Skënderbej” vijon të jetë e tensionuar.
/vizionplus.tv




