Protestat në kryeqytet kanë vijuar edhe ditën e sotme, pas përplasjeve të regjistruara një ditë më parë, më 28 nëntor, në Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë.

Qytetarët u mblodhën fillimisht me flamuj në duar dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku situata u përshkallëzua në përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa prej tyre hodhën fishekzjarrë dhe sende të forta në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për shpërndarjen e turmës.

Tensionet vijuan përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku u regjistruan edhe arrestime. Gjatë ndërhyrjes, policia përdori gaz lotsjellës edhe përmes dronëve, ndërsa në terren u angazhuan autobotë me ujë. Njëri prej tyre hyri deri në sheshin “Skënderbej”.

Një nga incidentet më të rënda ishte plagosja me plumb gome e deputetit demokrat Kliti Hoti. Në pamjet e publikuara, ai shihet teksa afrohet drejt efektivëve të policisë dhe më pas goditet. Hoti u transportua në Spitalin e Traumës, ku u vizitua edhe nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 12 persona mbetën të lënduar, mes tyre deputeti Kliti Hoti, dy efektivë policie dhe një kalimtar i rastit.

Pas incidentit, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, urdhëroi pezullimin e menjëhershëm të efektivit që qëlloi ndaj deputetit. Ndaj tij nisi edhe një hetim disiplinor nga Drejtoria e Standardeve Profesionale. Paralelisht, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Ndërkohë, gjatë protestës u krijua edhe një barrikadë pranë Bllokut të Ministrive. Një prej protestuesve tentoi të priste një shtyllë me gur fleksibël, ndërsa përplasjet dhe tensionet vijuan në disa zona të qendrës së Tiranës.