InsajderiInsajderi
Lajme

Skandal në “Riga Pharm”: Punonte pa farmacist, shiste Ozempic e antibiotik pa recetë, gjobitet nga Inspektorati

Insajderi
29 November 2026 - 17:54
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Facebook Shpërndaje në XShpërndaje në X Kopjo lidhjenKopjo lidhjen
Skandal në “Riga Pharm”: Punonte pa farmacist, shiste Ozempic e antibiotik pa recetë, gjobitet nga Inspektorati
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Barnatorja “Riga Pharm 12” në Ferizaj është gjobitur nga Inspektorati Farmaceutik, pasi gjatë inspektimit janë evidentuar disa shkelje ligjore, përfshirë shitjen e barnave pa recetë mjekësore dhe funksionimin pa praninë e farmacistit të licencuar.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Veriu.info, inspektimi ishte kryer pas një ankese të datës 25 gusht 2026, ndërsa në kontrollin e 31 gushtit ishte konstatuar se barnatorja po punonte pa farmacisten përgjegjëse dhe pa farmacisten zëvendësuese.

Në vend të tyre, shitjen e barnave e kryente një teknike e farmacisë, Anesa Murati, e cila sipas raportit nuk kishte paraqitur as licencë pune.

Inspektorët kanë konstatuar gjithashtu se nga kjo barnatore ishin shitur barna që jepen vetëm me recetë mjekësore. Në mesin e tyre ishte edhe Ozempic 1 mg, për të cilin nuk ishte prezantuar receta përkatëse.

Pa receta ishin shitur edhe 22 pako të antibiotikut për sy Tobrin 5 ml. Madje, sipas raportit, farmacistja zëvendësuese Vjonë Sejdiu kishte shitur edhe një bar tjetër, Letrox 100 mg, pa recetë, në praninë e vetë inspektorëve.

Për këto shkelje, pronarja e barnatores, Arta Zeqiri, është gjobitur me 2 mijë euro, ndërsa e njëjta shumë i është shqiptuar edhe farmacistes zëvendësuese Vjonë Sejdiu.

Megjithatë, sipas dokumenteve të publikuara nga Veriu.info, masë ndëshkuese nuk është marrë ndaj teknikes së farmacisë që kishte kryer shitjen e barnave në mungesë të farmacistëve të licencuar.

Gjoba prej 2 mijë eurosh i është shqiptuar pronares si person përgjegjës, ndërsa jo edhe barnatores si person juridik. Sipas dispozitave ligjore të cituara në raportim, për shkelje të tilla ndaj personit juridik parashihen gjoba prej 500 deri në 20 mijë euro.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

FacebookFacebook InstagramInstagram

Impressum

Kontakt

Trademark