Votuesit në Zvicër kanë mbështetur lehtësimin e rregullave të rrepta për eksportin e armëve, duke i hapur rrugë ndryshimeve në ligjin për materialet e luftës.
Sipas rezultateve të referendumit, 54.3% e votuesve janë shprehur pro ndryshimeve, ndërsa 45.7% kanë votuar kundër.
Reforma parashikon heqjen e disa kufizimeve për eksportin e armëve drejt 36 vendeve perëndimore, përfshirë shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, SHBA-në, Britaninë e Madhe, Kanadanë, Japoninë dhe Australinë. Kjo do të lejojë eksportet edhe në rastet kur vendet përfituese janë të përfshira në konflikte të armatosura.
Mbështetësit e ndryshimit argumentojnë se vendimi është i rëndësishëm për konkurrueshmërinë e industrisë zvicerane të armëve dhe për forcimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë me vendet perëndimore.
Nga ana tjetër, kundërshtarët paralajmërojnë se lehtësimi i këtyre kufizimeve mund të dëmtojë neutralitetin tradicional të Zvicrës dhe të rrisë rrezikun që armët zvicerane të përfundojnë në duart e vendeve të përfshira në konflikte apo të akuzuara për shkelje të të drejtave të njeriut.
Megjithatë, ndryshimi nuk përfshin Ukrainën, pasi eksportet e armëve drejt Kievit mbeten të ndaluara. Edhe Rusia vijon t’i nënshtrohet embargos.

