Protesta e 29 nëntorit në Tiranë ka marrë vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare. E përditshmja italiane ‘La Repubblica’ i ka kushtuar një artikull përplasjes mes protestuesve dhe policisë, duke publikuar edhe pamjet e momentit kur deputeti demokrat Kliti Hoti u godit me plumb gome.
Në materialin e publikuar, Hoti shihet teksa rrëzohet në tokë pasi qëllohet nga pas, ndërsa protestues të tjerë i japin ndihmën e parë.
Më pas, deputeti transportohet me ambulancë drejt Spitalit të Traumës për të marrë ndihmë mjekësore.
Media italiane e përshkruan ngjarjen si pjesë të protestës antiqeveritare që u shoqërua me përplasje të forta dhe përdorim të gazit lotsjellës, ujit me presion dhe plumbave të gomës nga policia.












