Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani dërgon trupa në Arabinë Saudite përballë sulmeve në rritje nga Huthit


Pakistani ka dërguar trupa në Arabinë Saudite në kuadër të “angazhimeve të dakorduara dhe kornizës së vendosur të bashkëpunimit në mbrojtje”, njoftoi të dielën Islamabadi, ndërsa grupi jemenas Huthi ka shtuar sulmet ndaj infrastrukturës së naftës dhe ekonomisë së Riadit, transmeton Anadolu.

Në ceremoninë e përcjelljes së trupave ushtarake drejt Arabisë Saudite, të mbajtur të shtunën, morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Khawaja Muhammad Asif, ambasadori saudit në Pakistan, Rajeh Tami Albugamy, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Pakistanit, gjenerallejtënant Omer Ahmed Bokhari, si dhe komandanti i Korpusit të Lahores, gjenerallejtënant Muhammad Umer Bashir, thuhet në një deklaratë të ushtrisë.

Dërgimi i trupave vjen disa ditë pasi ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të paktit trepalësh të mbrojtjes të Mekës u takuan në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, dhe rikonfirmuan mbështetjen e tyre për mbrojtjen e mbretërisë së pasur me naftë.

“Dërgimi i trupave ushtarake pasqyron angazhimin e palëkundur të Pakistanit për sigurinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Mbretërisë së Arabisë Saudite, të mbështetur në partneritetin strategjik afatgjatë dhe lidhjet vëllazërore mes dy vendeve mike”, thuhet në deklaratë.

Aty shtohet se Pakistani mbetet i palëkundur në angazhimin e tij për të garantuar sigurinë e mbretërisë dhe shenjtërinë e Haramain Sharifainit (Dy Vendeve të Shenjta në Mekë dhe Medinë).

Sipas deklaratës, trupat do t’i kryejnë detyrat e caktuara brenda territorit të Arabisë Saudite, në përputhje me angazhimet e dakorduara dhe kornizën e vendosur të bashkëpunimit në mbrojtje.

“Ky dërgim trupash do të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse të mbretërisë përballë shqetësimeve të reja të sigurisë”, thuhet më tej në deklaratë.

Pakistani dhe Arabia Saudite nënshkruan vitin e kaluar një pakt të mbrojtjes së ndërsjellë, përmes të cilit zotohen të mbrojnë njëri-tjetrin në rast të një sulmi nga një vend i tretë.

Ky pakt i hapi rrugën marrëveshjes trepalëshe të nënshkruar në gusht të këtij viti në Mekë nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman.

Marrëveshja synon të forcojë sigurinë e të tri vendeve përmes parandalimit dhe mbrojtjes kolektive.