Andrea Kimi Antonelli konfirmoi në Katar sezonin e tij të jashtëzakonshëm. Piloti italian i Mercedes triumfoi në pistën e Losailit duke regjistruar fitoren e tij të 10 sezonale.
Antonelli në këtë garë përfitoi edhe nga një problem i shokut të tij të skuadrës, George Russell që u nis nga pole position dhe që iu rezistoi sulmeve të Antonellit në xhirot e para. Piloti anglez ishte i pafat në këtë garë që u kompromentua nga humbja e ngarkesës aerodinamike e provokuar e shkaktuar nga një copë mbeturine e marrë në pistë, e cila ishte bllokuar menjëherë pas boshtit të përparmë dhe që u hoq vetëm pjesërisht gjatë ndalesës së dytë në bokse.
Gara u bë shumë e lehtë për Antonelli në gjysmën e dytë te saj, me italianin që kur kishin mbetur 10 xhiro nga fundi, përmes komunikimit me radio me Mercedes u shpreh i gatshëm që ‘t’i kthente’ fitoren shokut të skuadrës që u dëmtua nga një faktor i jashtëm.
Mercedes falënderoi Kimin, por të dy pilotët ishin shumë larg njëri-tjetrit për një shkëmbim pozicionesh. Kështu Russell u rendit në vendin e dytë, duke plotësuar kështu dopietën për skuderinë gjermane që dominoi totalisht të gjithë fundjavën.
Podiumin e plotësoi piloti i McLaren, Oscar Piastri që u rendit në vendin e tretë, ndërkohë që pesëshen më të mirë të këtij Çmimi të Madh e plotësuan Max Verstappen me Red Bull dhe Lando Norris me McLarenin tjetër. Menjëherë pas tyre u renditën 2 makinat Ferrari me Leëis Hamilton në vendin e 6 dhe Charles Leclerc në të 7. Dhjetëshen më të mirë të garës e plotësuan Isack hadjar me Red Bull, Liam Laëson me Racing Bulls dhe Gabriel Bortoleto me Audi.