Kabayel thyen heshtjen pas duelit me Hysën, çfarë ndodhi në ring pas hedhjes së peshqirit nga stafi i Hysës
Agit Kabayel ka reaguar pas fitores ndaj boksierit shqiptar Nelson Hysa, në duelin e zhvilluar në Dyseldorf, përpara rreth 53 mijë spektatorëve.
Përballja përfundoi pas vetëm pesë minutash, pasi Hysa pësoi një dëmtim dhe stafi i tij vendosi të hidhte peshqirin në ring, duke kërkuar ndërprerjen e ndeshjes.
Pas duelit, Kabayel foli për atmosferën e jashtëzakonshme në arenë, duke e cilësuar këtë përvojë si realizimin e një ëndrre të fëmijërisë.
“Është e pabesueshme. Për katër vite kam luftuar përpara 3-4 mijë njerëzve, ndërsa tani boksoj përpara 50 mijë tifozëve. Kjo ka qenë ëndrra ime që kur isha fëmijë dhe tani po e jetoj”, u shpreh ai.
I pyetur për momentin kur u hodh peshqiri, boksieri gjerman tha se fillimisht nuk e kuptoi se çfarë kishte ndodhur me krahun e kundërshtarit. Ai theksoi se nuk e kishte parë peshqirin në momentin kur ndeshja u ndërpre.
Kabayel shtoi se kishte hyrë në ring i përgatitur për një luftë të fortë dhe se ishte i gatshëm të jepte gjithçka për atë përballje, ndërsa tashmë synon të vazhdojë përpara.




