Mijëra banorë në disa zona të Lezhës kanë mbetur pa energji elektrike, si pasojë e motit të keq dhe erës së fortë që ka përfshirë rajonin gjatë ditës së sotme.
Dëmtimet në rrjetin elektrik kanë shkaktuar ndërprerje të furnizimit prej disa orësh në disa fshatra të njësive administrative Kolsh dhe Zejmen, si dhe në zonën e Zadrimës.
Probleme me energjinë raportohen edhe në lagjen Gurra të qytetit të Lezhës, ku banorët kanë mbetur pa furnizim elektrik.
Ndërprerjet e energjisë janë kthyer në një problem të përsëritur për këto zona, sa herë që ka reshje shiu apo përkeqësim të kushteve atmosferike.
Amortizimi i rrjetit elektrik mbetet një shqetësim për banorët, të cilët përballen me vështirësi të vazhdueshme në furnizim. Situata rëndohet edhe më shumë nga temperaturat e ulëta, pasi mungesa e energjisë vështirëson ngrohjen e banesave dhe aktivitetet e përditshme të familjeve të prekura.
