Tirana përjetoi një 29 Nëntor mes atmosferës festive dhe tensioneve. Bulevardi ”Dëshmorët e Kombit”, sheshi ”Skënderbej” dhe disa prej rrugëve të kryeqytetit u kthyen në skenë përplasjesh mes protestuesve dhe forcave të policisë. Mes flamujve kuqezi dhe dekorimeve të fundvitit, rrugët u mbuluan nga retë e gazit lotsjellës, ndërsa policia përdori automjetet ujëhedhëse për të shpërndarë protestuesit. Gurë të shkulur nga kalldrëmi, barriera metalike, automjete të blinduara dhe efektivë të pajisur me skafandra e mburoja dominuan panoramën e bulevardit kryesor.
Me rënien e mbrëmjes, tensionet vijuan në disa prej rrugëve të kryeqytetit. Barrikadat, hedhja e molotovëve dhe kontejnerët e përfshirë nga flakët ishin pjesë e panoramës së protestës së kësaj të diele. Dritat festive të Tiranës, flakët, tymi dhe flamujt kombëtarë krijuan një kontrast të pazakontë në një ditë me simbolikë historike për shqiptarët.
Efektivi Ersild Alliu qëlloi me plumb gome deputetin e PD-së, Kliti Hoti. Policia e Shtetit reagoi menjëherë, duke njoftuar pezullimin e menjëhershëm të tij nga detyra dhe nisjen e një hetimi disiplinor. Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Drejtues i Parë Agron Çeli, sqaron se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, duke e cilësuar ngjarjen si një veprim individual të punonjësit të policisë. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli nga Spitali i Traumës, duke hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se goditja ndaj deputetit demokrat ishte e qëllimshme dhe përbënte një tentativë për vrasje.
”Me urdhër të Ramës, u qëllua me tentativë për t’u vrarë deputeti i PD, doktor Kliti Hoti, i cili gjatë gjithë kësaj periudhe, në cilësinë e deputetit dhe të mjekut, ka qëndruar me një përkushtim të madh pranë të gjithë protestuesve të agresuar barbarisht, pa asnjë motiv, nga narkobanditët e Ramës për të shpëtuar lëkurën e Edi Ramës.
Deputeti po vraponte pas një protestuesi që po e trajtonin shtazërisht narkobanditët dhe ata e qëllojnë në distancë. E marrin në shenjë në zemër, por Zoti, një fuqi e mbinatyrshme, instinkti e kthen Hotin. Ai bën një rrotullim dhe arma e kap në shpatullën e djathtë. Një goditje nga afër, shumë e rëndë, me një plagë të thellë, me djegie përreth, sikur të ishte ndonjë plumb”, deklaroi Berisha.
Drejtori i Drejtorisë së Rendit Publik, Drejtues i Parë Agron Çeli, sqaron se efektivi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome, duke e cilësuar ngjarjen si një veprim individual të punonjësit të policisë. “Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të punonjësit të Policisë, inspektor E.A. Ndaj tij, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit ka nisur hetimin disiplinor, bazuar në pamjet filmike dhe faktet lidhur me veprimet individuale të tij, pasi punonjësi nuk kishte marrë urdhër për të qëlluar me plumba gome”, tha Çeli.
Kreu i grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, ka reaguar pas deklaratave të forta nga kryetari i partisë ”Mundësia”, Agron Shehaj, lidhur me gjendjen shëndetësore të një protestuesi të lënduar gjatë protestës. Shehaj deklaroi se një protestues ndodhej në gjendje kome dhe në rrezik për jetën, ndërsa një tjetër rrezikonte të humbiste shikimin. Ai kërkoi që SPAK të nisë hetimet për incidentet e raportuara gjatë protestave, përfshirë rastet e deputetëve Erald Kapri dhe Kliti Hoti. Balla i cilësoi deklaratat e Shehajt si të pavërteta, duke iu referuar sqarimit të një mjeku të Spitalit të Traumës. “Një mashtrues profesionist sapo ka dalë dhe ka thënë se një protestues është në koma dhe në rrezik për jetën. Nuk ka asnjë të vërtetë! Ndiqni mjekun e Spitalit të Traumës”, shkruan Balla.
Lexoni edhe:
Pezullimi i efektivit që qëlloi deputetin, Erjon Vishkulli: Po për ne që rrezikuam jetën?
Një protestues është në koma dhe në rrezik për jetën? Taulant Balla tregon sesi qëndron e vërteta
Berisha: E meritojnë të digjen komisariatet nga protestuesit!
Plagosja e deputetit të PD, ministri Demo kërkon pezullimin e efektivit






















