Paketa fiskale/ Operatorët e transportit: Qeveria të vendosë kush do të paguajë kostot
Operatorët që ofrojnë shërbimin e transportit urban dhe atë ndërqytetas, ndonëse kërkuan që të trajtohen me TVSH 6%, si një shërbim bazik në vend, kërkesa e tyre nuk u mor në konsideratë. Në këto kushte, ata nga viti i ardhshëm do të paguajnë një TVSH më të lartë, në masën 21%. Dashnor Memaj, nga Shoqata e Transportit Ndërqytetas, gjatë një interviste në emisionin “e-Zone”, tha se kostot rriten me paketën fiskale, por çmimi i biletës mbetet i njëjtë.
“I takon qeverisë të vendosë se kush do t’i paguajë kostot që shtohen në punën tonë si pasojë e rritjes së normës së TVSH-së në 21%. Do t’i paguajnë qytetarët me çmim bilete më të shtrenjtë apo qeveria do të na subvencionojë”, tha Memaj në Vizion Plus.
Ai argumentoi se në çdo vend europian, transporti është i diferencuar në aspektin e taksave, për shkak se hyn te shërbimet bazike, aq më tepër në vendin tonë, ku nuk ka asnjë mjet tjetër alternativ publik.
“Nëse qeveria nuk ndërhyn dhe sektori mbetet pa asnjë suport, e sigurt është që plani i investimeve do të minimizohet. Shërbimi në vitin e ardhshëm nuk do të përmirësohet. Kushtet do të mbeten po njësoj, ndërsa nuk presim të rinovojmë flotën”, sqaroi Memaj në emisionin “e-Zone”.
Operatorët thonë se e kanë të pamundur që ta ndryshojnë flotën e autobusëve nga mjete me naftë në mjete elektrike. Kostoja që ka një investim i tillë nuk kthehet me tarifën aktuale të biletës.




