“Kurrë nuk jam ndier më i fyer se mbrëmë”, ish-kampioni shqiptar i botës reagon pas humbjes së Nelson Hysës

29 Nëntor 2026
20:30
Telesport
back button

Humbja me KO e Nelson Hysës mbrëmë ndaj gjermanit Agit Kabayel për titullin “WBC World Heavyweight”, ka lënë të zhgënjyer ish-boksierin shqiptar që përfaqsoi Gjermaninë, Robin Krasniqin, i cili ka fituar disa tituj të rëndësishëm gjatë karrierës së tij.

Ky i fundit ka reaguar pëmres një statusi të gjatë në rrjetet e tij sociale, ku thumbon ashpër Nelson Hysën, për paraqitjen e bërë mbrëmshme, duke e konsideruar si të turpshme.

“Kurrë nuk jam ndier më i fyer se mbrëmë!

Miq të dashur,

siç e dini të gjithë, unë nuk jam sportist që flet shumë. Të gjithë karrierën time e kam ndërtuar me shumë punë e përkushtim, duke folur shumë pak apo duke heshtur plotësisht, si për duelet e mia, ashtu edhe për ato të kolegëve të mi, për të cilat kam folur edhe më pak.

Por kësaj radhe nuk kam si të mos flas. E ndiej si obligim ndaj tifozëve të boksit të flas për një realitet dhe një dukuri që ka nisur ta njollosë rëndë boksin shqiptar.

Epilogu i asaj dukurie të pahijshme, për të cilën do të flas në rreshtat në vazhdim, u pa mbrëmë më së miri. Nëse një karrierë në boksin profesionist ndërtohet me kundërshtarë jocilësorë, madje me shumë pikëpyetje edhe sa i përket sinqeritetit të dueleve, një ditë do të vijë koha kur do të përballesh me një kundërshtar të vërtetë. E tani, çfarë?

Atëherë do t’ju ndodhë të gjithëve ajo që i ndodhi mbrëmë kolegut tonë Hysa në ndeshjen me Kabayel. Ajo që pashë unë mbrëmë, më vjen shumë keq ta komentoj. Ndiej turp si sportist, sepse ne mund të humbim, mund të mos boksojmë bukur, kundërshtari mund të na deklasojë. Çdo gjë mund të ndodhë në ring, por të dorëzohemi në atë mënyrë qesharake, pa u goditur fare, është diçka e rëndë, duke pasur parasysh përgjegjësinë që kemi ndaj tifozëve dhe popullit tonë, e aq më tepër ndaj një dite të shenjtë si 28 Nëntori dhe ndaj flamurit tonë.

Andaj, kam një apel për të gjithë të rinjtë: të marrin mësim nga kjo dukuri, të mos fillojnë apo të ndërtojnë karriera joserioze në boks, por t’i qasen këtij sporti fisnik vetëm e vetëm nëse e duan me të vërtetë dhe kanë zemër e shpirt luftarak.

Ju faleminderit për mirëkuptimin”, shkran Krasniqi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit