Këshilli Prokurorial i Kosovës, siç duket nuk e ka me nguti hapjen e konkursit për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale. Ndërkohë që padia e Blerim Isufajt, është ende në pritje të shqyrtimit nga Gjykata Administrative, njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se e njëjta duhet të trajtohet me urgjencë për shkak të rëndësisë.

Që nga 2 tetori pozita e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, është duke funksionuar me ushtrues detyre.


Kjo meqë Këshilli Prokurorial i Kosovës, vendosi ta shkarkoi Blerim Isufajn, nga ajo pozitë, duke e lënë Dren Pacën, në krye të PSRK-së.

Por, në Këshillin Prokurorial të Kosovës, nuk kanë një plan afatshkurtër se kur do të mund të hapet konkurs për këtë pozitë.

“Lidhur me këtë çështje që ndërlidhet me pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ju njoftojmë se Këshilli Prokurorial i Kosovës do ta trajtojë atë në kuadër të mandatit, përgjegjësive dhe kompetencave të përcaktuara me ligj, duke respektuar procedurat përkatëse institucionale. Çdo vendim i organeve kompetente të Këshillit lidhur me inicimin e procedurës së re të rekrutimit do të bëhet publik me kohë, përmes kanaleve zyrtare të komunikimit, duke siguruar informim të drejtë dhe transparent për mediat dhe opinionin publik.”

Isufaj ishte ankuar në Gjykatën Supreme, por e njëjta ia hedhi poshtë ankesën.

Ai më pas dërgoi padi në Gjykatën Administrative, e cila është duke e shqyrtuar atë, ndonëse ia refuzoi masën e përkohshme, për vendimin e KPK-së.

- YouTube www.youtube.com

Sipas avokatit Valdet Hoxha, gjykata duhet ta trajtojë me urgjencë meqë pozita e kryeprokurorit të PSRK-së, nuk mund të lihet gjatë me ushtrues detyre.

“Shpresoj të ketë një epilog të shpejtë të ketë një lloj prioriteti trajtimi i kësaj lende sepse kjo çështje i tejkalon kornizat e të trajtuarit të një lënde të thjesht administrative por ka një impakt më të gjerë institucional andaj do ishte e udhës të kishte një urgjencë në trajtimin e kësaj çështje dhe të vendoset në mënyrë meritore për ligjshmërinë”, ka deklaruar Valdet Hoxha – Avokat.

Lënia e pozita për kohë të gjatë me ushtrues detyre është praktikë në sistemin e drejtësisë, meqë pozita kryesore ajo e Kryeprokurorit të Shtetit kishte funksionuar me ushtrues detyre për gati 4 vjet./Tv Dukagjini/