Pedro Sánchez rrezikon pushtetin? Sondazhet thonë se PP dhe Vox pritet të sigurojnë një shumicë të ngushtë parlamentare në Spanjë
Blloku i krahut të djathtë në Spanjë parashikohet të sigurojë një shumicë parlamentare në zgjedhjet e së dielës, duke i dhënë fund, potencialisht, tetë viteve të qeverisjes socialiste nën drejtimin e kryeministrit Pedro Sánchez.
Një sondazh i "Sigma Dos" për transmetuesin publik spanjoll RTVE parashikon se Partia Popullore (PP), e udhëhequr nga Alberto Núñez Feijóo, do të fitojë midis 129 dhe 134 mandate, ndërsa partia e ekstremit të djathtë "Vox" pritet të sigurojë midis 44 dhe 48 mandate, shkruan Euronews, përcjell Telegrafi.
Në skenarin më optimist të këtyre parashikimeve, të dyja partitë së bashku do të arrinin në 182 mandate në Kongresin me 350 vende – shifër e mjaftueshme për një shumicë parlamentare – duke hapur kështu rrugën për një qeveri të krahut të djathtë.
Me 176 mandate të përbashkëta, ato do të ishin në gjendje të qeverisnin.
I njëjti sondazh parashikon se Partia Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE) e Sánchez-it do të fitojë midis 119 dhe 124 mandate, shifër kjo përafërsisht e ngjashme me 121 mandatet e fituara në vitin 2023.
Për të qëndruar në pushtet, socialistët do të duhet të sigurojnë mbështetjen e një aleance më të gjerë, që përfshin parti të krahut të majtë dhe parti nacionaliste.
Qendrat e votimit janë mbyllur në Spanjën kontinentale dhe në Ishujt Baleare, ndërsa procesi i votimit vazhdon ende në Ishujt Kanarie, të cilët ndodhen një orë pas Spanjës kontinentale.
Rezultatet e para zyrtare pritet të bëhen të ditura gjatë orëve në vijim.
Megjithatë, shifrat historike të pjesëmarrjes në votime kërkojnë kujdes në interpretim.
Deri në orën 18:00, 68,1% e votuesve kishin hedhur votën e tyre – 15 pikë më shumë sesa në zgjedhjet e vitit 2023 dhe mbi 4,5 pikë përqindjeje më shumë se rekordi i mëparshëm historik, i vendosur në mars të vitit 1996, kur në të njëjtën orë kishin votuar 63,45% e zgjedhësve. /Telegrafi/





























