Një moment emocional është regjistruar gjatë protestës kombëtare të 29 nëntorit në Tiranë, ku një i ri i është drejtuar efektivëve të policisë me një thirrje të fortë, duke u kërkuar të mos harrojnë origjinën dhe gjakun e tyre.
“Do vdesim një ditë. Do jepni llogari, në mos te njeriu, tek ai Zot i madh atje! Çfarë do t'i thoni ju Perëndisë? Që vramë gjakun tonë?!”, dëgjohet të thotë ai.
Më tej, i riu përmend figura të rëndësishme të historisë shqiptare, si Ismail Qemali, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Isa Boletini dhe Çerçiz Topulli, duke u bërë thirrje efektivëve të kujtojnë identitetin e tyre dhe të mos dalin kundër qytetarëve.
“Nëse jeni bij shqiptarësh, duhet të dilni në krah të popullit!”, është mesazhi me të cilin ai u drejtohet efektivëve.
Fjalët e tij pasqyrojnë zemërimin dhe zhgënjimin e një pjese të protestuesve ndaj mënyrës se si policia ka ndërhyrë gjatë tubimit.