Zgjedhjet në Spanjë/ Sondazhet sinjalizojnë fundin e mundshëm të qeverisjes socialiste, e djathta pranë shumicës parlamentare

29/11/2026 21:52

Partitë e djathta në Spanjë, Partia Popullore (PP) dhe partia e ekstremit të djathtë Vox, mund të sigurojnë një shumicë të ngushtë parlamentare në zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara këtë të diel, më 29 nëntor.

Sipas projeksioneve të para të sondazhit të realizuar nga Sigma Dos për televizionin publik spanjoll RTVE, të publikuara pas mbylljes së qendrave të votimit, një rezultat i tillë mund t’i japë fund tetë viteve të qeverisjes socialiste nën drejtimin e kryeministrit Pedro Sánchez.

Sipas RTVE-së, Partia Popullore, e drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, parashikohet të marrë 32,2% të votave, duke siguruar nga 129 deri në 134 mandate. Këtyre u shtohen edhe dy mandate nga koalicioni me Unionin e Popullit Navarrez (UPN), duke e çuar numrin e përgjithshëm në 131–136 deputetë.

Ndërkohë, Vox, e drejtuar nga Santiago Abascal, parashikohet të marrë 16,2% të votave dhe nga 44 deri në 48 mandate.

Së bashku, këto forca politike mund të sigurojnë nga 175 deri në 184 vende në Kongresin me 350 deputetë, ndërsa për shumicën absolute nevojiten 176 mandate.

Partia Socialiste e Punëtorëve të Spanjës (PSOE), e drejtuar nga kryeministri Pedro Sánchez, parashikohet të marrë 28,8% të votave dhe nga 119 deri në 124 mandate. Në zgjedhjet e vitit 2023, socialistët siguruan 121 vende në Kongres.

Sipas të njëjtit sondazh, formacioni i majtë Frente Amplio parashikohet të sigurojë nga 10 deri në 11 mandate.

Zgjedhjet e kësaj të diele janë shoqëruar me një pjesëmarrje rekord të qytetarëve. Deri në orën 18:00, kishin votuar 68,1% e zgjedhësve, rreth 15 pikë përqindjeje më shumë se në zgjedhjet e vitit 2023.

Sondazhi i Sigma Dos për RTVE është realizuar nëpërmjet 19.500 intervistave telefonike, të zhvilluara nga 13 deri më 28 nëntor. Shifrat e publikuara përfaqësojnë projeksione zgjedhore dhe jo rezultate zyrtare.

 

Top Channel