Vendosni fjalën kyçe....

Sindikatat e universiteteve i kërkojnë Peleshit reformë zgjedhore: Kryeministri maksimumi dy mandate, Presidenti me konsensus


Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar i janë drejtuar me një letër të hapur kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, drejtuesve të grupeve parlamentare dhe anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, duke kërkuar ndryshime që synojnë rikthimin e besimit të qytetarëve te vota dhe institucionet demokratike.

Në letrën e datës 26 nëntor 2026, përfaqësuesit e universiteteve theksojnë se cilësia e demokracisë në vend ndikon drejtpërdrejt edhe në funksionimin demokratik të institucioneve. Sipas tyre, besimi në proceset zgjedhore, që është i domosdoshëm edhe për zgjedhjen e drejtuesve të universiteteve, duhet të garantohet në nivel kombëtar.

Ata vënë në dukje se prej muajsh studentë, pedagogë dhe qytetarë po protestojnë në Tiranë dhe qytete të tjera, duke theksuar se kërkesat e tyre nuk duhet të trajtohen si pjesë e një konflikti politik, por si shqetësime të një shoqërie që kërkon institucione të përgjegjshme dhe llogaridhënie për zyrtarët e lartë.

Në letër përmenden edhe ligjet nr. 5/2026 dhe nr. 6/2026, si dhe vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 815/2026, të cilat, sipas firmëtarëve, kufizojnë të drejtën për protestë dhe lirinë e shprehjes.

Ata kërkojnë shqyrtimin e këtyre akteve në raport me standardet kushtetuese, duke argumentuar se demokracia duhet të mbrojë edhe zërin kritik të qytetarëve.

 

Shtatë parimet e propozuara për reformën zgjedhore

SPUSH dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar propozojnë shtatë parime që, sipas tyre, duhet të përbëjnë bazën e reformës zgjedhore.

Ndër kërkesat kryesore është që deputetët të marrin mandatin nga vota e qytetarëve dhe jo nga renditja e përcaktuar prej kryetarëve të partive. Për këtë, ata propozojnë lista plotësisht të hapura dhe shpërndarjen proporcionale të mandateve në nivel kombëtar, me një prag zgjedhor jo më të lartë se 3%.

Një tjetër propozim lidhet me përfaqësimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët kërkohet të kenë përfaqësuesit e tyre në Kuvend përmes një njësie zgjedhore të posaçme dhe me të drejtën e votës.

Përfaqësuesit e universiteteve kërkojnë gjithashtu që qytetarët të kenë mundësi të kandidojnë në zgjedhje pa ndërmjetësimin e partive politike.

Sipas propozimit, iniciativat qytetare duhet të regjistrohen si subjekte zgjedhore dhe të gëzojnë të njëjtat të drejta si partitë, përfshirë financimin publik, kohën në media dhe përfaqësimin gjatë procesit zgjedhor.

Sa i përket pushtetit vendor, kërkohet që kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e njësive administrative të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes një sistemi me dy raunde dhe të mos qëndrojnë në detyrë më shumë se dy mandate. Edhe këshillat bashkiakë propozohet të zgjidhen me lista plotësisht të hapura.

Në dokument kërkohet që administrimi i zgjedhjeve të kryhet nga institucione të paanshme dhe jopartiake, të drejtuara nga profesionistë me integritet të provuar. Gjithashtu, propozohet garantimi i fshehtësisë së votës edhe gjatë numërimit, në mënyrë që vota e asnjë qytetari të mos identifikohet apo të bëhet objekt presioni.

Një tjetër parim është kufizimi i përqendrimit të pushtetit. Konkretisht, SPUSH dhe Kolegji i Profesoratit Shqiptar kërkojnë që kryeministri të mos qëndrojë në detyrë më shumë se dy mandate.

Për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ata propozojnë një proces në Kuvend që të mbështetet në konsensus të gjerë, të zhvillohet në jo më shumë se tre raunde votimi dhe të mos lejojë zgjedhjen e kreut të shtetit vetëm me votat e shumicës qeverisëse.

Në përfundim, përfaqësuesit e universiteteve shprehen të gatshëm të marrin pjesë në diskutimet e Komisionit për Reformën Zgjedhore dhe të kontribuojnë me ekspertizën e tyre.

Sipas tyre, këto shtatë parime përbëjnë një hap të parë drejt rikthimit të besimit te demokracia dhe krijimit të kushteve që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.