Rreth 2 mijë emigrantë kanë mbërritur në ishullin e Kretës në Greqi gjatë fundjavës, me varka të vogla nga Afrika e Veriut, duke shkaktuar një situatë të vështirë për autoritetet vendase. Ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, e cilësoi fluksin e regjistruar që prej së premtes si më të vështirin për Greqinë gjatë këtij viti.
Sipas autoriteteve greke, më shumë se 1 mijë persona janë shpëtuar nga gomone në ujërat pranë Kretës dhe ishullit Gavdos, në jug të vendit. Ndërkohë, të shtunën janë gjetur edhe trupat e pajetë të dy emigrantëve, ndërsa rrethanat e vdekjes së tyre nuk janë bërë të ditura.
Kreta është kthyer në një nga pikat kryesore të hyrjes për emigrantët që përpiqen të mbërrijnë në Evropë nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut. Fluksi i madh i fundjavës ka vënë në vështirësi strukturat pritëse, duke detyruar autoritetet të përdorin edhe ambiente sportive për strehimin e përkohshëm të personave që kanë arritur në ishull.
Qindra emigrantë u sistemuan në një palestër në Heraklion, kryeqytetin e Kretës, pasi kapacitetet lokale u mbingarkuan. Nënkryetari rajonal për politikat sociale, Stelios Vorgias, deklaroi se situata ka dalë jashtë kontrollit, duke bërë të ditur se afro 2 mijë emigrantë ndodheshin në portin e Heraklionit, të ekspozuar ndaj të ftohtit dhe reshjeve të mundshme të shiut.
Ai theksoi se autoritetet po përpiqen të ofrojnë një zgjidhje të përkohshme për të mos i lënë personat në qiell të hapur gjatë natës, mes tyre gra dhe fëmijë të vegjël.
Kryebashkiaku i Heraklionit, Alexis Kalokairinos, nënvizoi se emigrantëve duhet t’u garantohen të drejtat themelore të njeriut, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhen.
Greqia po përballet prej vitesh me vështirësi për menaxhimin e flukseve migratore. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 40 mijë emigrantë kanë mbërritur në vend që nga fillimi i këtij viti, një shifër që ka tejkaluar numrin e regjistruar gjatë gjithë vitit 2025.
Qeveria greke ka njoftuar së fundmi masa të reja për përballimin e fluksit, përfshirë ndërtimin e një kompleksi të përkohshëm strehimi pranë Heraklionit.
Ndërkohë, Greqia është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që planifikojnë të hapin vitin e ardhshëm një qendër dëbimi emigrantësh në Ruandë, së bashku me Gjermaninë, Danimarkën, Austrinë dhe Holandën. Skema synon emigrantët që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në këto vende dhe ndaj të cilëve është marrë vendim dëbimi.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësime se kjo nismë mund të cenojë të drejtat e emigrantëve, ndërsa pesë qeveritë këmbëngulin se plani është në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe të drejtën ndërkombëtare.
