E diel, 29 Nëntor 2026 Film TV deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Lajmet e Fundit dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Takim sekret mes Princit Harry dhe Mbretit Charles në Skoci, përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet familjare

Princi Harry dhe babai i tij, Mbreti Charles III, kanë zhvilluar një takim privat në tetor në rezidencën mbretërore të Balmoralit në Skoci. Sipas gazetës britanike “The Sun”, ky ishte takimi i tyre i parë kokë më kokë pas kthimit të Dukës së Sussex-it në Britani.

Mbreti 78-vjeçar thuhet se kishte ftuar djalin e tij 42-vjeçar për të kaluar kohë së bashku, pa praninë e Mbretëreshës Camilla, Meghan Markle dhe dy fëmijëve të çiftit, Archie dhe Lilibet. Harry udhëtoi drejt Skocisë gjatë fundjavës së 17 tetorit, kur Charles ndodhej vetëm në rezidencën mbretërore.

Përmbajtja e bisedës mes babait dhe djalit nuk është bërë publike. Megjithatë, një burim i cituar nga “The Sun” ka deklaruar se ekziston dëshira për të ruajtur marrëdhënie të mira mes tyre. Përfaqësuesit e të dyve kanë refuzuar të komentojnë takimin.

Takimi u zhvillua në një periudhë kur Harry ka folur publikisht për dëshirën e tij për pajtim me familjen mbretërore. Në një intervistë për revistën “GQ”, Duka i Sussex-it deklaroi se dëshiron të lërë pas konfliktet familjare, duke theksuar se bota dhe jeta e njerëzve kanë mjaftueshëm tensione për të vazhduar edhe problemet brenda familjes.

Reklamë

“Disa njerëz nuk duan që problemet të zgjidhen. Unë dua t’i zgjidh”, u shpreh Harry, duke shtuar se pajtimi është veçanërisht i rëndësishëm në kohët e sotme.

Ndërkohë, marrëdhëniet mes Harry-t dhe familjes mbretërore mbeten të tensionuara që prej largimit të tij dhe Meghan nga detyrat mbretërore dhe zhvendosjes në Shtetet e Bashkuara, rreth gjashtë vite e gjysmë më parë.

Sipas medias britanike, Meghan, Archie dhe Lilibet nuk kanë takuar Mbretin Charles gjatë qëndrimit të tyre në Britani në muajt e fundit. Harry dhe familja e tij nuk pritet të marrin pjesë as në festimet tradicionale të Krishtlindjeve të familjes mbretërore në Sandringham.

Mbreti Charles nuk ka folur publikisht për djalin e tij më të vogël prej më shumë se katër vitesh. Megjithatë, në fjalimin e tij të parë televiziv pas vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth, ai kishte shprehur dashurinë për Harry-n dhe Meghan-in, duke u uruar të ndërtonin jetën e tyre jashtë Britanisë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.