Studentët kanë mbajtur një deklaratë për mediat nga Spitali i Traumës, ku po marrin ndihmë mjekësore protestues të plagosur gjatë tubimeve të 28 dhe 29 Nëntorit.
Ata kanë kërkuar hetim për dhunën policore dhe vënien para drejtësisë të personave përgjegjës, duke theksuar se përgjegjësia duhet të shtrihet edhe te efektivët që kanë dhënë urdhra për ushtrimin e dhunës.
Studenti që foli për mediat deklaroi se në Spitalin e Traumës ndodhen gazetarë, protestues dhe qytetarë të shumtë, ndërsa ndaj demonstruesve janë përdorur gaz lotsjellës, dronë me gaz dhe plumba gome.
“Janë mjete që janë përdorur ndaj protestuesve. Kërkojmë që të merren masa për dhunën policore dhe të nisë një hetim. Përgjegjësit duhet të vihen para drejtësisë”, deklaroi ai.
Studentët theksuan se përgjegjësia nuk duhet të kufizohet vetëm te efektivët që kanë përdorur forcën drejtpërdrejt, por të përfshijë edhe ata që kanë dhënë urdhra.
“Nuk mund të themi se dhunën e ushtron vetëm një efektiv. Duhet të ketë përgjegjësi penale edhe për efektivët që japin urdhra”, u shpreh studenti.
Në deklaratë u kërkua gjithashtu përgjegjësi politike dhe institucionale nga ministri i Brendshëm, ndërsa Avokatit të Popullit iu bë thirrje të bëjë publike rastet e dhunës. Studentët kërkuan edhe reagimin e ambasadave lidhur me ngjarjet e fundit.
Ata paralajmëruan se protesta do të vijojë dhe se ngjarjet e 28 Nëntorit nuk do të harrohen.
“Do ta vazhdojmë protestën dhe gjaku i derdhur nga ne më 28 Nëntor nuk do të harrohet. E vërteta nuk do të mbetet pa zë. Dhuna nuk mund të relativizohet”, përfundoi studenti.