Katër diplomatë të Ambasadës së Iranit në Bosnjë-Hercegovinë janë shpallur persona të padëshiruar dhe janë larguar nga vendi, mëson Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë (REL). Diplomatët u larguan nga Bosnja e Hercegovina në nëntor 2026, pasi dyshohet se kanë lidhje me aktiviteteve të inteligjencës në favor të Teheranit. Ministria e Punëve të Jashtme e Bosnje-Hercegovinës, e cila është përgjegjëse për vendimet lidhur me dëbimin e personelit diplomatik, i tha REL-it se nuk mund të komentojë për rastin, pasi “bëhet fjalë për çështje të sigurisë, e jo diplomatike”. Arsyet për të cilat katër diplomatët u detyruan të largoheshin nga Bosnja e Hercegovina ende nuk janë bërë zyrtarisht publike. Më herët, gjatë muajve shtator e tetor, autoritetet në Bosnjë-Hercegovinë dëbuan edhe drejtuesit e institutit iranian Ibn Sina në Sarajevë, me argumentin se përbënin kërcënim për sigurinë e vendit. Ata nuk kishin status diplomatik në Bosnje e Hercegovinë. Vendimin e mori Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë e Bosnjës-Hercegovinës, e cila njoftoi Shërbimin për Çështjet e të Huajve të shtetit. Në kohën kur u mor vendimi, të dy zyrtarët iranianë ndodheshin jashtë Bosnjës. Arsyet për të cilat u cilësuan si kërcënim për sigurinë e shtetit nuk dihen. Instituti Shkencor-Hulumtues Ibn Sina u themelua në Sarajevë në vitin 1996 si organizatë joqeveritare, me qëllim të “zhvillimit të bashkëpunimit shkencor, hulumtues dhe kulturor ndërmjet Iranit dhe vendeve të Ballkanit, veçanërisht Bosnjës dhe Hercegovinës”, thuhet në faqen e tij të internetit.