Një 55-vjeçar ka humbur jetën pas një aksidenti të ndodhur në fshatin Perondi, në bashkinë Kuçovë.
Andrea Buçka po udhëtonte me biçikletë në rrugën e fshatit kur u përplas nga një automjet, i cili dyshohet se lëvizte me shpejtësi.
Të lidhura
None found
Përplasja i shkaktoi atij dëmtime të shumta. 55-vjeçari u transportua me ambulancë në Spitalin Rajonal të Beratit, në gjendje të rëndë, por ndërroi jetë menjëherë pas mbërritjes në spital, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.
Viktima, banues në fshatin Perondi, është dërguar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, raporton gazetarja Eneida Petova.
Pas ngjarjes, grupi hetimor ka nisur veprimet në vendin e aksidentit për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e plota të tij. Dyshimet e para lidhen me shpejtësinë e automjetit, ndërsa drejtuesi është shoqëruar në polici.
Njoftimi i policisë
Berat/Informacion paraprak
Rreth orës 20:45, në fshatin Perondi, shtetasi Sh. D., 20 vjeç, është përfshirë në një aksident teksa drejtonte automjetin e tij dhe ka përplasur shtetasin A. B., 55 vjeç, i cili po lëvizte me biçikletë. Si pasojë e përplasjes, 55-vjeçari ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për të dokumentuar dhe zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit.







