EXCLUSIVE/ Misteri i Deklaratës së Pavarësisë, historianët kërkojnë hetimin për gjetjen e dokumentit origjinal: Shteti shqiptar duhet ta marrë seriozisht këtë çështje!

29/11/2026 22:50

Në një mot të paqëndrueshëm, pasditen e 28 nëntorit 1912, Ismail Qemali dhe delegatët e tjerë shpallën Pavarësinë e Shqipërisë. Ngritja e flamurit kuqezi shënoi fundin e sundimit osman dhe kurorëzoi përpjekjet shekullore të popullit shqiptar për liri.

Akti i Shpalljes së Pavarësisë përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Ai ishte fryt i përpjekjeve dhe i luftërave shekullore të shqiptarëve, për të mbrojtur tërësinë tokësore të atdheut dhe për të formuar shtetin e pavarur shqiptar. Me vendimin e Kuvendit të Vlorës, kombi shqiptar fitoi të drejtën e tij të pamohueshme për të qenë i lirë e i pavarur, krahas kombeve e popujve të tjerë të Evropës.

“Kuvendi u hap menjëherë në sesionin e tij të parë. 28 Nëntor 1912. Ai shpalli njëzëri mëvetësinë e Shqipërisë. Menjëherë pas votimit, të gjithë dolëm nga salla për të ngritur lart në shtëpinë time, në shtëpinë ku kisha lindur e ku kishin jetuar stërgjyshërit e mi… flamurin labë të Skënderbeut, i cili flinte i palosur prej 445 vjetësh”, shprehej në shënimet e tij Ismail Qemali.

Në këtë “Exclusive”, Ismail Qemalin do ta portretizojmë përmes Mjeshtrit të Madh, aktorit Fatos Sela, që interpretoi rolin e Babait të Pavarësisë, në një dokumentar të realizuar nga Top Channel në 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Ishte një çast i paharrueshëm për mua dhe ndjeva duart që më dridheshin nga emocioni ku po ngrija në ballkonin e shtëpisë sime flamurin e sovranit të fundit shqiptar dhe dukej sikur shpirti i pavdekshëm i heroit shkëlqeu atë çast si një dritë e shenjtë përmbi kokat e njerëzve”, shkruante Babai i Pavarësisë.

Por, si arriti ky plak mjekër-bardhë të shpëtonte një popull të tërë? Si u realizua akti i Pavarësisë? Historianët tregojnë se Shqipëria e lirë ishte fryt i një procesi të gjatë, i cili fillon që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit në 1878 deri në vitin 1912. Dokumentet historike nxjerrin në dritë fakte të reja mbi disa akte të rëndësishme të Ismail Qemalit para vitin 1912 kundër xhonturqve. E tillë ishte kryengritja e vitit 1902 kur Qemali u bë protagonist i një grushti shteti për të rrëzuar Sulltan Abdyl Hamitin e Dytë nga froni.

“Bëhet fjalë për vitin 1902 kur në Kongresin Xhonturk të Parisit, Ismail Qemali së bashku me 5-6 shkrimtarë të tjerë vendosën të ndajnë pikëpamjet dhe mendimet e tyre lidhur me të ardhmen e shtetit Osman dhe shqiptarëve brenda kësaj perandorie. Në Kongresin Xhonturk të Parisit në 1902, Ismail Qemali bën pjesë në një rrymë së bashku me Princ Sabaudinin, sipas të cilëve Perandoria Osmane mund të reformohej duke bashkëpunuar me faktorin ndërkombëtar të kohës, por edhe duke përdorur ushtrinë që t’i imponohej Sulltanit. Ishte dhe një grup tjetër që kryesohej nga Ahmet Riza Pasha, që më vonë do të jetë kryetar i parlamentit Osman, i cili mendonte se Perandoria do të reformohej vetëm së brendshmi, pa përfshirjen e faktorëve të jashtëm”, thotë historiani Hasan Bello.

Ismail Qemali në këtë periudhë, së bashku me Princ Sabaudinin, vendosën të bashkëpunonin me admiralin shqiptar, Rexhep Pashë Matit, i cili ishte me detyrë në Tripoli.

“Gjatë kësaj periudhe, Rexhep Pasha kishte kontakt me xhonturqit që Abdyl Hamiti i Dytë internonte në Tripoli, pra kishte pikëpamje liberale ose si përkrahës i kësaj rryme. Ismail Qemali, sipas këtij plani, do të hynte në marrëveshje me Rexhep Pashë Matin, i cili do të sillte forcat ushtarake në Selanik dhe nga Selaniku, duke përdorur tri anije greke do t’i fusnin këto forca në Çanekala? Ose në Dardanele… dhe nga aty do t’i bënin presion Sulltan Abdyl Hamitit të Dytë për të rishpallur Kushtetutën dhe Parlamentin Osman”, shprehet Bello.

Por, pse dështoi ky plan? Kush e sabotoi Ismail Qemalin?

“Mirëpo, ky plan dështoi për disa arsye, një nga të cilat është fakti se Mbreti i Greqisë ose qeveria greke me të cilët Ismail Qemali kishte zhvilluar bisedime, nuk ishin të gatshëm për të marrë maksimumin nga ky plan dhe vendosën që ta dekonspironin te Abdyl Hamiti dhe për këtë arsye ky plan dështon”, thotë historiani.

Ismail Qemali, pjesë Parlamentit Osman në Stamboll, udhëhoqi grupin e deputetëve shqiptarë dhe grupin opozitar liberal, duke denoncuar publikisht politikat antishqiptare të qeverisë xhonturke dhe dhunën e ushtrisë osmane në trojet shqiptare. Një ngjarje që bëri bujë në jo vetëm në Perandorinë Osmane, por edhe në shtypin europian ishte incidenti i 11 shkurtit 1911 në Parlamentin Osman, ku Ismail Qemali u godit fizikisht nga një deputet xhonturk teksa kritikonte politikat e qeverisë.

“Zhvillohej një interpelancë lidhur me dhënien me koncension të hekurudhës së Bagdatit dhe Ismail Qemali duke kritikuar politikat e qeverisë xhonturke të asaj periudhe përballet me një incident. Një deputet xhonturk çohet dhe e godet Ismail Qemalin. Kjo ngjalli sensibilitetin e të gjithë deputetëve shqiptarë në parlamentin osman, madje thuhet që Esat Pashë Toptani ka vendosur dorën tek arma për të reaguar, por deputetët e tjerë e kanë qetësuar dhe pas përfundimit të seancës parlamentare, ky grup i deputetëve shqiptarë ka shkuar te kryetari i parlamentit dhe ia ka shprehur hapur që ‘shqiptarin më mirë ta vrasësh se sa ta godasësh’”, thotë Hasan Bello.

Ky fyerje publike shkaktoi reagim të fortë te përfaqësuesit shqiptarë dhe në mbarë opinionin publik shqiptar. Episodi i rëndë u shndërrua në një çështje kombëtare dhe nxiti dërgimin e telegrameve me notë proteste nga krahinat shqiptare drejt Stambollit.

“Xhonturqit u bënë pishman dhe deputeti që e qëlloi shkon dhe i kërkon ndjesë Ismail Qemalit. Ismail Qemali nuk e pranon ndjesën e deputetit xhonturk dhe për këtë arsye shkon një nga tre figurat kryesore të xhonturqëve, Talat Pasha dhe i kërkon ndjesë Ismail Qemalit”, tregon historiani.

Në klimën e tensionuar që pasoi, u hodh edhe ideja e një atentati ndaj kryeministrit osman, Ibrahim Pashës, si akt hakmarrjeje për fyerjen ndaj Ismail Qemalit. Megjithatë, plani dështoi pasi u dekonspirua në shtypin vjenez një ditë përpara se të realizohej.

“Shqiptarët e morën shumë personale këtë incident, madje Dervish Hima i propozon deputetit nga Kosova, Nexhi Bej Dravës, organizimin e një atentatit ndaj kryeministrit osman, Ibrahim Pashës. Për këtë gjen edhe një student shqiptar me origjinë nga Elbasani, Sali Hoxhën, i cili kundrejt një shpërblimi prej 300 lirash, do të vriste kryeministrin osman, pra për të marrë hakun e incidentit të 11 shkurtit. Për fat të keq, Dervish Hima kishte pak prirjen për të qenë protagonist i këtyre ngjarjeve, i dërgon fotografinë e studentit shqiptar dhe një shkrim një gazete vjeneze, e cila e boton këtë lajm, duke thënë se së shpejti pritet t’i bëhet një attentat kryeministrit osman, një ditë para se të zhvillohej atentati. Ndaj, atentati dështon”, thotë historiani.

Pakënaqësitë sollën një valë kryengritjesh kundër Perandorisë Osmane, që nisën në 1911 dhe vazhduan deri në 1912 e që kishin si protagonistë Ismail Qemalin, Hasanën Prishtinën dhe personalitete të tjera. E vënë nën presion, në gusht 1912, Perandoria Osmane vendos që t’i njohë Shqipërisë autonominë politike dhe administrative. Kjo ngjalli xhelozinë e shteteve ballkanike, që me mbështetjen e Rusisë, krijojnë Aleancën Ballkanike. Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia i shpallin luftë Perandorisë Osmane në tetor 1912. Në këto rrethana, nuk pati më kohë që shqiptarët dhe elita jonë politike të mbronte akoma kartën e autonomisë, por doli me kërkesën e Pavarësisë. Sigurisht, për këtë pati një mbështetje shumë të madhe nga Austro-Hungaria, të cilat kishin interes që territoret shqiptare të ishin influencë e tyre politike, por mbi të gjitha të mos shkeleshin nga shtetet sllave.

Syrja Bej Vlora dhe Eqerem Bej Vlora mbronin tezën e Shqipërisë autonome brenda Perandorisë Osmane ndërsa Ismail Qemali po e kuptonin se ishte momenti më shumë se kurrë për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë.

“Madje, në Arkivin e Shtetit ka dokumente që tregojnë se Austro-Hungaria donte që Pavarësinë e Shqipërisë ta realizonte Syrja Bej Vlora dhe Eqerem Bej Vlora dhe jo në Vlorë, diku nga Shqipëria e Mesme. Situata precipitoi dhe si duket, edhe një konsensus midis Fuqive të Mëdha bëri që si figurë prioritare të dilte Ismail Qemali”, tregon Hasan Bello.

Në një intervistë për dokumentarin e Top Channel për 100-vjetorit të Pavarësisë Profesor Kristo Fashëri tregonte rrugën e gjatë deri në shpalljen e Pavarësisë dhe e cilësonte të gabuar tezën sipas së cilës pavarësia është një dhuratë nga bashkësia ndërkombëtare. Sipas profesorit, çelësi që i çoi shqiptarët drejt Pavarësisë mbetet ruajtja e unitetit territorial, gjuhës dhe të folurit, si dhe krijimi i një identiteti të caktuar kombëtar.

“Gjithë kjo lëvizje është lufta e gjithë shqiptarëve për të hapur shkolla shqipe, për të përdorur shkrimin shqip, për të përhapur letërsinë shqipe, për të përhapur idetë kombëtare. Kjo ideologji çoi në pavarësinë e 1912. Pa këtë ideologji nuk do të ishte krijuar Shqipëria e pavarur edhe sikur ta krijonin shtetet e mëdha”, thoshte historiani i ndjerë Kristo Frashëri.

Ismail Qemali u nis nga Stambolli në Bukuresht me idenë e shpalljes së një vendi autonom nën sundimin e sulltanit. Por i mësuar me gjuhën e ambasadorëve, ai e kuptoi qartë se kishte ardhur momenti i zgjidhjes së çështjes shqiptare. Tashmë e vetmja rrugë që ai shihte ishte pavarësia.

“Veziri i madh Qamil Pasha këmbënguli të qëndroja përkrah tij dhe më ofroi një portofol në qeveri. Në rrethana të tjera do ta kisha pranuar këtë detyrë me kënaqësi, por tani nuk e kisha më vendin aty. Një detyrë më e lartë më shtrëngonte ta hidhja poshtë. Nuk e kisha vendin aty e kisha tek Atdheu im, të cilit ia kisha borxh t’i shërbeja deri në fund. Qamil Pasha u zpraps para argumentit të gjendjes së jashtëzakonshme. Rrugës u ndala në Bukuresht, ku jetonte një koloni shqiptare. 15 nga bashkëluftëtarët e mi vendosën të ktheheshin në Shqipëri. Kërkova që nga çdo krahinë e vendit të niseshin delegatë për në Vlorë, ku edhe do të mbahej një kuvend kombëtar. Në Vjenë mora një telegram nga një miku im personal, konti Andrashi. Aty takova kontin Hadëik, të cilin e njoha me çështjen time kombëtare dhe që i gatshëm të plotësonte të vetmin kërkesë që i bëra të më vinte në dispozicion një anije me të cilën mund të arrija në portin e parë shqiptar para se të arrinte ushtria serbe. Vlora ishte bllokuar nga flota greke, ndaj zbrita në Durrës. Aty qëndronin dy luftanije greke që kishin ardhur një natë më parë. Një oficer grek hyri në anije dhe na bëri kontroll. Ai gjeti veç pak armë dhe më la të lirë të zbres në tokë”, shkruante në shënimet e tij, Ismail Qemali.

Durrësi ishte zgjedhja e parë e Ismail Qemalit për të shpallur Pavarësinë, kur zbriti në port në 21 nëntor, por qyteti rrezikohej nga përparimi i forcave serbe, ndërsa Vlora dukej më pak e kërcënuar nga forcat greke. Gjithsesi, në Durrës u mbajt një mbledhje me Ismail Qemalin, por qëllimi i tij i panegociueshëm për Pavarësi dhe Flamur Kombëtar nuk gjeti mbështetjen e të gjithëve. Ismail Qemali dhe mbështetësit e tij u nisën drejt Vlorës, ndërkohë që fryma kombëtare dhe aspirata për mëvetësi po përhapej në të gjithë vendin dhe kështu, përpara datës 28 nëntor, disa qytete, kryesisht në Shqipërinë e Mesme, ngritën flamurin e kuq me shqiponjën dykrenare.

Intervista me Myrteza Sharrën te Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave

Me të mbërritur në Vlorë, Ismail Qemali nxitoi të mblidhte Kuvendin dhe të ngrinte flamurin në shtëpinë e kushëririt të tij, Xhemil Bej Vlora. Plaku i urtë njoftoi shpalljen e Shqipërisë më vete nën një qeveri të përkohshme.

Historianët nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë imazh nga ajo ngjarje historike. Fotot që njohim i përkasin 1-vjetorit të Pavarësisë, kur firmëtarët inskenuan panoramën e 28 nëntorit 1912. As nga shtëpia e Xhemil Bej Vlorës nuk ka mbetur asnjë gjurmë, godina u rrënua dhe u shemb disa vite më vonë, ndaj Muzeu i Pavarësisë u hap në godinën ku u festua 1-vjetori i ngritjes së flamurit, ku ruhen disa artefakte origjinale të periudhës 14-mujore të qeverisë së Ismail Qemalit

“Jemi te dhoma e punës së Ismail Qemalit. Kemi tavolinën, karrigen, kallamarin e bojës me penën dhe me shqiponjën prej argjendi, kemi shpatën e Isa Boletinit, jelekun e çupës së Ismail Qemalit. Kemi gjithashtu fotografinë e parë fare të familjarëve të Ismail Qemalit. Këtu kemi gjithashtu perde të origjinale të cilat janë të asaj kohe që ne po i mbrojmë dhe i mbajmë me fanatizëm”, thotë Kozeta Halili, drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë.

Kemi dhe dorëshkrime të misionit të tij diplomatik, pra, puna diplomatike, për ta njohur ndërkombëtarisht qeverinë?

“Kemi procesverbale të cilat nëpërmjet aparatit Mors, u shpërndanë në të gjithë shtetet që treguan se, Shqipëria u bë një shtet i pavarur. Por, në të njëjtën kohë, është edhe një procesverbal të ambasadorit austro-hungarez që ka qenë këtu dhe ka dhënë verdiktin që Shqipëria u shpall shtet i pavarur”, thotë Halili.

Por, shtetit shqiptar i mungon dokumenti më i rëndësishëm i ekzistencës së tij! Ku ndodhet Deklarata e Pavarësisë, nënshkruar në Vlorë në 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemali dhe 39 firmëtarët e tjerë?

“Sipas informacioneve që ne kemi, kjo deklaratë është ekspozuar në 1937. Pastaj, ndodhej në një kasetë që ruhej nga Lef Nosi në Bankë. Lef Nosi arrestohet dhe dënohet. Flitet që kjo Deklaratë është ekspozuar në 1962, por regjimi i asaj kohe e ka censuruar këtë akt dhe nuk kishte interes që disa nga firmëtarët e Pavarësisë të njiheshin nga populli. Kjo mendoj që ka ndikuar që Deklarata të mos bëhet publike, të zhdukej”, shprehet historiani Hasan Bello.

Studiuesit dhe historianët kërkojnë hetim të plotë për dokumentin themeltar të shtetit.

“Shteti shqiptar, institucionet ligjzbatuese sikurse është Prokuroria e Përgjithshme, duhet të nisin një hetim. Sepse në shtypin shqiptar janë botuar shumë artikuj që aludojnë për ekzistencën e kësaj deklarate”, shprehet Bello.

Nga ana tjetër, por aq e nevojshme është edhe ndërhyrja në shtëpinë e flamurit, me status muze kombëtar, por në rrezik degradimi. Muret e çara tregojnë dëmtimin e godinës, ndërsa objektet kanë nevojë për restaurim dhe për kushte më të mira konservimi.

“Është bërë dëgjesa e parë publike dhe do të fillojë direkt pjesa e punimeve këtu. Do të konsistojë në forcimin e strukturës së muzeut. Do të jetë restaurimi, do të jetë digjitalizimi, rijetëzim”, shprehet Kozeta Halili.

Më shumë se 11 dekada pas shpalljes së Pavarësisë, Shqipëria vijon të ndërtojë rrugën e saj mes arritjeve dhe sfidave të shumta.

“Shpallja e Pavarësisë nuk është vetëm për Shqipërisë londineze të 1913, por për të gjitha trojet shqiptare. Prandaj 28 nëntori nuk është festë vetëm për ne që jemi brenda Shqipërisë, por edhe për shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë, Çamërisë, por edhe për shqiptarët e Diasporës. Prandaj vlen që këto figura të sillen në vëmendje për kontributin që kanë dhënë për krijimin e shtetit shqiptar”, thotë historiani Bello.

Vizioni i tyre nuk lidhej vetëm me fitimin e lirisë, por edhe me krijimin e një vendi ku arsimi, ekonomia, infrastruktura dhe mirëqenia e qytetarëve do të ishin shtyllat kryesore të së ardhmes.

Trashëgimia e tyre nuk lidhet vetëm me aktin historik të Pavarësisë, por edhe mesazhin se Shqipëria duhej të ndërtohej mbi përgjegjësinë, kulturën dhe interesin kombëtar. Simbolet tona kombëtare, që i shohim kudo këtë fund gjatë festave të nëntorit na kujtojnë detyrimin e përbashkët për të ndërtuar një shtet të zhvilluar dhe dinjitoz, një ideal që ende mbetet aktual.

 

Top Channel