Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në fshatin Perondi të Kuçovës, ku ka humbur jetën një 55-vjeçar. Viktima është identifikuar si Andrea Buçka, banor i zonës, i cili po lëvizte me biçikletë kur u përplas nga një automjet.
Për shkak të plagëve të marra, 55-vjeçari u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Beratit, në gjendje të rëndë shëndetësore. Megjithatë, ai nuk arriti t'u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit është shoqëruar në polici. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morgun e spitalit.
Grupi hetimor ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa dyshimet paraprake janë se shkak i aksidentit mund të ketë qenë shpejtësia e automjetit. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e plota të përplasjes.